Aktualitet15 Shkurt 2019, 14:51

Si Brukseli ‘hodhi në erë’ Brexit-in

Shkruar nga Pamfleti
Si Brukseli ‘hodhi në erë’ Brexit-in

Si Brukseli ‘hodhi në erë’ Brexit-in

Brukseli mendoi që për të vepruar me përgjegjësi në procesin e negocimit, britanikët duhej t’ia fillonin nga një rezolutë e fortë për të nderuar angazhimet e tyre.

Shkruan Bruno Maçaes

Brexit, i parë nga Evropa, duket si për shumë njerëz një rrëmujë veçanërisht britanike. Por, sikur rrëmujaxhinjtë të jemi ne? Është një ide jo shumë popullore në këtë anë të Kanalit. Por ngërçi ku ka hyrë Brexit, nuk është një faji i kryeministres britanik Tereza Mej.

Përkundrazi, është vetë procesi i negocimit, ai që krijoi kushtet për këtë dështim – dhe faji për këtë, është para së gjithash i Brukselit. Bisedimet e Brexit ishin të keq-përgatitura që nga fillimi – diçka që ndodh shpesh, kur ua ngarkon këtë detyrë burokratëve.

BE-ja refuzoi të diskutonte natyrën e marrëdhënieve të saj të ardhshme me Britaninë e Madhe, nëse Londra nuk binte dakord që të mos kishte ndonjë kufizim të rëndë në kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Ishte pikërisht vendimi për të përfshirë çështjen e kufirit irlandez në fazën e parë të negociatave, ai që siguroi mosbërritjen asnjëherë tek faza e dytë.

Kanë kaluar 30 muaj, që kur Britania e Madhe evokoi nenin 50. Dhe ne vetëm sa kemi cekur pjesën e negociatave, që kanë të bëjnë me termat e marrëdhënieve të ardhshme – pjesë e diskutimeve, që në fund do të vendosë statusin e kufirit që ndan BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Tek e fundit, faza e parë sillej rreth 3 çështjeve mbi të cilat duhej vendosur në parim, dhe jo bazuar tek ​​pragmatizmi. A do të na duhet një kufi i ashpër, një kufi i lehtë, apo gati asnjë kufi? Kjo varet nga marrëdhënia e ardhshme. Nëse ky proces ishte logjik, statusi i një segmenti të vogël të kufirit të BE-së me Mbretërinë e Bashkuar, sado i veçantë dhe jetik që mund të jetë, do të diskutohet gjatë bisedimeve mbi marrëdhënien gjithëpërfshirëse – ku do të përfshihen edhe çështje të mëdha si tregtia dhe siguria e jashtme.

Për nga mënyra se si është hartuar procesi – përfshirja e kufirit irlandez në mesin e 3 temave kryesore, mbi të cilat do të negociohet përpara se Britania të largohet zyrtarisht nga blloku më 29 mars – duket se që të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje, mbi një çështje që efektivisht nuk u lejohej ta diskutonin.

Ekzistojnë kaq shumë pikëpyetje – për shembull, cila do të jetë marrëdhënia tregtare e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në pas Brexit? – që varen mbi çështjen e kufirit irlandez. Nuk është çudi që ajo është ende e pazgjidhur. Atëherë, pse u përfshi në fazën e parë të diskutimeve?

Brukseli mendoi që për të vepruar me përgjegjësi në procesin e negocimit, britanikët duhej t’ia fillonin nga një rezolutë e fortë për të nderuar angazhimet e tyre.

Para se diskutimi të kthehej tek peshkimi, djathi dhe shërbimet bankare, Brukseli vendosi se duhej të sundonte parimi moral. Britania, vijonte arsyetimi, duhej së pari të binte dakord të paguante paratë që duhej të kontribuonte në arkën e BE-së, të siguronte të drejtat e qytetarëve të BE-së që jetonin në Britani, dhe të respektonte pritshmëritë legjitime të të gjithë nënshkruesve të Marrëveshjes së të Premtes së Mirë, që i dha fund “Trazirave” në Irlandë.

Kishte gjithashtu një arsye praktike pse Evropa donte që së pari të përqëndrohej në çështjet parimore:Kjo rriste gjasat, që vendet anëtare të BE-së të qëndronin të bashkuara. Dhe kjo ka funksionuar. Përqendrimi i debatit rreth garancisë që Britania e Madhe të vepronte me mirëbesim, ndihmoi në forcimin e asaj që doli të ishte një front i bashkuar midis BE27.

Megjithatë, duke pasur parasysh gjendjen e negociatave, ky mund të jetë një vendim për të cilin BE-ja mund të pendohet. Por Brukseli nuk mund ta kishte bërë këtë, pa ndihmën e kryeministres britanike.

Dështimi për të rezistuar mjaftueshëm diskutimit në lidhje me çështjen e kufirit irlandez, ishte gabimi tragjik i Tereza Mej – një çështje për të cilën do të ketë kohë të mjaftueshme për t’u ulur në vitet në vijim. Heqja e pyetjes irlandeze nga faza e parë e bisedimeve, do të kishte qenë edhe në interesin e vetë BE-së.

Në vend të kësaj, ajo i udhëzoi negociatorët e saj që të përçanin frontin e bashkuar të BE-së, duke u përpjekur të fusnin elementë nga faza e dytë e negociatave. Ky ishte një gabim i madh.

Interesi i saj – dhe ka shumë të ngjarë edhe interesi i vendit – ishte ngadalësimi dhe jo përshpejtimi i gjërave.

Mej do të përfundonte aktin e parë. Të hidhte hapat njëri pas tjetrit, duke e përfunduar Marrëveshjen e Tërheqjes në kohën e duhur – ndoshta edhe përpara afatit – dhe me prestigjin e saj të paprekur, ajo mund të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend.

Duke mbajtur premtimin e saj për ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja, askush nuk do të dyshonte qoftë edhe për një minutë, nëse ajo ishte personi i duhur për të udhëhequr Mbretërinë e Bashkuar, në një partneritet të ri me bllokun. Për këtë, kryeministrja kishte nevojë vetëm për një gjë: Të hiqte çështjen irlandeze nga fushëveprimi i Marrëveshjes së Tërheqjes.

Ajo duhet të kishte investuar në atë detyrë specifike, të gjithë kapitalin e saj politik, dhe aftësitë e diplomatëve të saj të kalitur. Ky do të qe një objektiv i arritshëm. Heqja e çështjes irlandeze nga faza e parë e bisedimeve, do të kishte qenë edhe në interesat e BE-së. Pse?

Sepse, pavarësisht shfaqjes së unitetit dhe këmbënguljes se Evropa do të jetë më e fortë se kurrë, blloku gjendet vetë në një situatë delikate. Brexit ka rreziqe financiare, të cilat Brukseli vazhdon t’i injorojë me kokëfortësi:Një përqindje e shpërpjesëtuar e shërbimeve financiare që kompanitë firmat e BE-së, duhet të menaxhojnë rrezikun e listimit në Bursën e Londrës, dhe kjo e fundit do të vazhdojë të jetë vendi ku duhet të bihen këto shërbime.

Ka ndërkohë edhe rreziqe politike dhe të reputacionit. Teksa procesi i negociatave shpërbëhet, pjesa më e madhe e botës do t’i kthehet Brukselit për ta pyetur pse edhe një herë BE-ja duket e paaftë për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe efikase të problemeve të saj.

Tek e fundit, pavarësisht BE-ja është i përbërë nga 27 ose 28 shtete, Brukseli s’mund t’u ikë problemeve që ka. Aktualisht, ekziston një rrezik shumë i madh, që klubi në fakt të përbëhet nga 27 anëtarë e gjysmë. Përgjithmonë. Unioni mund të rezistojë, por do të ishte dobësuar në mënyrë serioze. Fatmirësisht, ekziston një alternativë:Kthehuni te bordi i hartimit të paktit, dhe deklaroni që Marrëveshja e Tërheqjes përfundoi me sukses – pa çështjen irlandeze.

Shënim: Bruno Maçaes, një ish-ministër i Evropës për Portugalinë, është anëtar i Institutit Hadson në Uashington. Libri i tij “Agimi i Euroazisë” ka dalë në qarkullim këtë muaj./Politico.eu, përshtati në shqip, Bota.al

Forum Brexit Brukseli Bruno Maçaes