Kulture28 Dhjetor 2022, 20:12

Si ia dalin arkeologët të zbërthejnë kodin e gjuhëve të lashta?

Shkruar nga Pamfleti
Si ia dalin arkeologët të zbërthejnë kodin e gjuhëve

Si ia dalin arkeologët të zbërthejnë kodin e gjuhëve të lashta?

Deri 200 vjet më parë, askush në epokën moderne nuk mund t’i kuptonte hieroglifetegjiptiane. Në thelb, egjiptianishtja e lashtë ishte një gjuhë e vdekur. Fakti që sot historianët tani mund t’i lexojnë dhe kuptojnë shkrimet hieroglifike, i detyrohet suksesit me një tekst të jurisprudencës shumë të zakonshëm, të gdhendur mbi një gur me famë botërore.

“Viti i ardhshëm shënon 200-vjetorin e deshifrimit të Gurit Rozetës, që ishte një moment vendimtar për egjiptologjinë. Ai është artifakti i vetëm më i famshëm që është përkthyer”- thotë Roland Enmarsh, pedagog i egjiptologjisë në Universitetin e Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar.

Por si arrijnë të deshifrohen gjuhët e lashta? Guri i Rozetës, është një tekst i gdhendur dhe që përmban një shpalljeje të lëshuar në vitin 196 Para Krishtit. Ai u tregua tepër i dobishëm në deshifrimin e hieroglifeve egjiptiane, sepse dekreti përsëritej 3 herë.

E para ishte shkruar me hieroglife, e dyta me shkrim demotik, një formë kursive e egjiptianes së lashtë, e ngjashme në stil me arabishten e shkruar. Versioni i tretë ishte në greqishten e lashtë. Për shkak se greqishtja e lashtë kuptohej, kjo i siguroi arkeologëve një mënyrë të sigurtë për të deshifruar gjuhën e lashtë egjiptiane.

“Nëse keni një shkrim dygjuhësh, dhe njëra prej tyre është në një gjuhë që ju e kuptoni, atëherë kjo është me të vërtetë e dobishme, për sa kohë që përmbajtja e tekstit përsëritet”- thotë Enmarsh.

Përmes kësaj teknike, ju mund të shihni se ku përsëriten seksionet, dhe i përktheni ato pjesë-pjesë. Për fat të keq, përkthimi që doli nga teksti i Gurit të Rozetës, nuk zbuloi asgjë veçanërisht tronditëse. Ai ishte thjesht një pjesë e tekstit administrativ për të shënuar përvjetorin e jubileut të një mbreti, por që siguroi mjetet e nevojshme për të kuptuar tekste të tjera akoma më interesante.

Mënyra tjetër për të ringjallur një gjuhë të vdekur prej kohësh, është përmes përpunimit bazë të  dhënave. “Ne kemi sot disa pllaka argjile që i përkasin viteve 1450-1200 Para Krishtit, dhe që u zbuluan në Greqi. Për dekada njerëzit u përpoqën të kuptonin se çfarë thoshin ato”- thotë Enmarsh.

Gjuha njihet si “linearja B”, dhe i paraprin edhe alfabetit grek. Ndaj shumica e historianëve ranë dakord se ndoshta ajo ishte një gjuhë më vete. Megjithatë, dekoduesit që kishin punuar në thyerjen e kodit gjerman “Enigma” gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin në gjendje të deshifronin edhe “lineare B”, duke supozuar se ai ishte në fakt një paraardhës i greqishtes së lashtë.

Ata analizuan modelet e variacionit brenda skenarit për të parë nëse kjo mund të ofronte të dhëna. Disa sekuenca simbolesh u shfaqën vetëm në pllakat që u gjetën në ishullin e Kretës, por jo në ato të zbuluara në pjesën e Greqisë kontinentale. Kjo bëri që dekoduesit të supozonin se sekuencat ishin emra vendesh në ishull, gjë që doli të ishte e vërtetë.

Nga kjo ata mundën të punonin për të përkthyer të gjithë tekstin. “Ky është shembulli i vetëm i famshëm i suksesit me përdorimin e kësaj metode”- thotë Enmarsh.  Ka disa përpjekje për ta bërë një punë më moderne përkthimin e gjuhëve të lashta. Studiuesit në Universitetin Mekuajër në Australi, bashkëpunuan me ekspertë të Google për të përdorur Inteligjencën Artificiale me synim përshpejtimin e procesit të përkthimit të hieroglifeve të lashta egjiptiane në anglisht dhe arabisht.

“Makineria dallon se ku ka dhe ku nuk ka hieroglife. Dhe kjo është shumë e rëndësishme”-thotë Kamila Di BiazeDajzën, pedagoge e egjiptologjisë në Universitetin Mekuajër e cila ishte e përfshirë në projekt. “Problemi është se puna e saj nuk bazohet mbi një pjesë të madhe të  dhënave të marra nga trajnimi. Që të shkrepni një foto nga muri i një varri egjiptian dhe ta përktheni shpejt tekstin, makinerisë do t’i duhen shumë më tepër të dhëna”- shton ajo.

Tani për tani, kërkohet ende shumë kontribut njerëzor për t’u siguruar që rezultati përfundimtar të jetë një përkthim i besueshëm. Por nëse softueri është i ekspozuar ndaj të dhënave të mjaftueshme të mostrës, atëherë është e mundur që deshifrimi i gjuhëve të lashta të bëhet më i aksesueshëm, dhe në të ardhmen mund të mos ketë nevojë për ndihmën e njeriut. / “Discover Magazine” – Bota.al

Kulture kodi i gjuhëve të lashta