Aktualitet30 Korrik 2022, 20:17

Si përfundoi dosja e Sigurimit në duart e Sali Berishës?

Shkruar nga Pamfleti
Si përfundoi dosja e Sigurimit në duart e Sali Berishës?

Berisha dhe të tjerë po akuzojnë Ramën se po përdor politikisht dosjet e Sigurimit për të goditur Metën dhe mund të kenë të drejtë për këtë, por ai vetë bëri të njëjtën gjë, përdori në të njëjtën mënyrë një dosje të Sigurimit me emër e mbiemër për të mbrojtur Ilir Metën…

Shkruan Nebil Çika

Në përpjekjet për të mbrojtur Ilir Metën nga akuzat si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, “i madhërishmi” Sali Berisha deklaroi se dosjen e spiunit që Autoriteti i Dosjeve e ngatërron me Ilir Metën” e kishte ai në shtëpi.

Në të gjithë këtë debatin e hapur për Sigurimin dhe bashkëpunëtorët e tij, pas kërkesës së Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit për të hequr pengesat e krijuara nga komisionet Mezini e Bezhani për hapjen e dosjeve, deklarata e Berishës që posedonte privatisht një të spiunëve të Sigurimit është më e rëndësishmja dhe e çon debatin publik e politik atje ku duhet të përqendrohet, tek thelbi i tij: Përdorimi i dosjeve të spiunëve për shantazh e kontroll nga të gjithë ata që kanë dijeni mbi to, përfshi edhe Sali Berishën.

Pyetja që duhet të bënte media, por që nuk e bëri, se gjysma e sajë në konflikt interesi, po bën sikur nuk di gjë çfarë po ndodh, duhet të ishte:

Pse një dosje e Sigurimit të Shtetit ndodhet në mënyrë private e të pa ligjshme në duart e një politikani, ish president e kryeministër?

Si ka përfunduar kjo dosje në shtëpinë apo zyrën e tij.

Sa dosje të tjera ka në duar të tij përveç asaj që e deklaroi vetë?

Dhe me thelbësorja, pse i duhen e i shërbejnë atij dosjet e Sigurimit të Shtetit?

Këto janë pyetjet që media e publiku duhet të bëjë dhe ai duhet të përgjigjet.

Që Sali Berisha dhe jo vetëm ai, por shumë politikanë e zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, e posedojnë privatisht data bazën e Sigurimit të Shtetit kjo dihet, por Berisha është i vetmi që ka deklaruar publikisht që ka në posedim privat dosje të Sigurimit. Duke vërtetuar dyshimin apo akuzat e përdorimit të tyre nga zyrtarët apo ish-zyrtarët e lartë të shtetit.

Berisha dhe të tjerë po akuzojnë Ramën se po përdor politikisht dosjet e Sigurimit për të goditur Metën dhe mund të kenë të drejtë për këtë, por ai vetë bëri të njëjtën gjë, përdori në të njëjtën mënyrë një dosje të Sigurimit me emër e mbiemër për të mbrojtur Ilir Metën, dosje që ai e mbante në mënyrë të pa ligjshme në shtëpi.

Kjo është shumë më e rëndë nga akuza që ai artikulon për Ramën se po përdor Autoritetin, ku nuk ka nevojë fare për Autoritetin se i ka vetë privatisht dhe i përdor sa herë të dojë pa u penguar fare nga komisionet Mezini e Bezhani.

Hapja e dosjeve të Sigurimit e ka rëndësinë pikërisht për këtë gjë, që ato të mos përdoren politikisht dhe jo vetëm nga individë apo parti politike për interes të pushtetit.

Që këta që i kenë dosjet në pronësi private të mos shantazhojnë personat që kanë në dorë vendimmarrjen në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar.

Ai i ka përdorur e i përdor Berisha, Rama, Ruçi etj., që kanë akses mbi dosjet për interesa të jashtëligjshme politike etj., ato ?! Sigurisht që po dhe prova për këto është përdorimi publik i Berishës, me emër e mbiemër të dosjes së një bashkëpunëtori të Sigurimit, t cilën tha se e kishte ai, për të mbrojtur aleatin e tij Ilir Meta.

Mendoni se çfarë mund të bëje me to për interesa më të ngushta personale.

Para se Berisha të deklaronte posedimin privat të kësaj dosjeje në mbrojtje të Metës, ishte vetë Meta që i dha një sinjal të fortë publik atij duke deklaruar publikisht që “nuk ishte spiun ” dhe për këtë solli si garanci faktin që “ishte kontrolluar në 1996 nga i madhërishmi Sali Berisha”, një sinjal i pastër që Berisha duhet të fliste dhe ta mbronte.

Dhe kështu ndodhi, vetëm pak orë me pas Berisha doli me një tjetër dosje sigurimi në dorë për të mbrojtur Metën.

Tani puna është (s)a i përdor dosjet e Sigurimit qe posedon privatisht Berisha për pushtetin e tij politik ?

Një nga arsyet e jetëgjatësisë politike të tij është pikërisht ky përdorim i data bazës së Sigurimit për të kontrolluar nëpërmjet tyre në mënyrë private e të paligjshme PD kur ka qenë në opozitë dhe shtetin kur ky qenë në pushtet! Dosjet e Sigurimit, korrupsionit etj., janë edhe sot arsyeja kryesore e pushtetit dhe mbështetjes së Berishës.

Me to ai mban në kontroll bashkëpunëtorët dhe ish zyrtarët e korruptuar të qeverisë së tij në PD dhe rrotull sajë. Jo rastësisht gjithë llumi i qeverisjes së tij, ish komunistë, spiunë të deklaruar të djegur e dekonspiruar edhe publikisht e zyrtarisht prej tij janë rreshtuar në krah të tij në luftën për pushtimin e PD pas shpalljes non grata nga SHBA. Ekipi i tij përbërë kryesisht nga pinjollë të autorëve të njohur të krimeve të komunizmit, prokurorë, gjyqtarë dhe patjetër edhe spiunë të Sigurimit.

Në media janë publikuar dhjetëra raste kur të përzgjedhur të tij ish-ministra e deputetë, jo vetëm në PD, i kanë shpëtuar komisionit Mezini, njëri prej të cilëve akuzohet të jetë Ilir Meta dhe kjo qokë nga Berisha nuk është bërë më kot.

Databaza e bashkëpunëtorëve të shtetit i ka hyrë më shumë në punë Berishës se sa Ramës, Ruçit, Nanos e drejtuesve të PS.

Se qartësisht në 1990 strategjia e Ramiz Alisë për “demokracinë shqiptare ” e ndau Sigurimin në dy pjesë: punëtorët e tij oficera Sigurimi, hetues, prokurorë gjykatës etj., që ishin legalë, pra të dekonspiruar para publikut, si të tillë u rreshtuan me PS, partia trashëgimtare e PPSH që ishin atje në shtëpinë e tyre. Ishte e pa mundur që ata të ingranohishin në lëvizjen dhe partinë “antikomuniste” PD pasi baza e sajë nuk do të mund ta pranonte një gjë të tillë. Spiunët po, ata nuk ishin publik dhe publiku kishte pak apo aspak dijeni për ta dhe kjo i bënte të përshtatëm për tu futur në PD dhe në poste drejtuese të saj.

Kjo bëri që Sigurimi të bëhej instrumenti kryesor i kontrollit dhe vazhdimësisë së pushtetit politik të komunistëve në Shqipëri.

Kjo është arsyeja kryesore për të mos thënë e vetmja që bllokoi hapjen dhe publikimin e dosjeve së Sigurimit që vazhdon edhe sot. Komunistëve u duhej kontrolli i atikomunistëve të PD, se PS ishte e tyre dhe mënyrë më të mirë për ta bërë këtë ishte me bashkëpuntëtorët e Sigurimit të infiltruar midis tyre dhe një ish sekretar partie në krye të tyre nuk mund të gjendej. Për këtë ata kishin përvojën 45-vjeçare të diktaturës se tyre. Ata kontrolluan dhe shtypën çdo gjë antikomuniste në diktaturë nëpërmjet Sigurimit dhe spiunëve të tij në mënyrë legale dhe vazhduan ta bëjnë këtë në mënyrë ilegale pas rënies de jure të komunizmit. Spiunët ishin dhe janë “vezët e qyqes komuniste në folenë zyrtare të antikomunistëve” (PD) e parti të tjera të djathta.

Rezultati është i qartë për të gjithë. Sot komunistët kontrollojnë gjithçka në këtë vend dhe merita kryesore për këtë i takon Sigurimit dhe kontrollit të tij nëpërmjet dosjeve të zhvillimeve politike dhe të tjera në vend.

Prandaj hapja dhe publikimi i dosjeve të Sigurimit i propozuar nga deputetet e PD, jashtë kontrollit të Berishës, ka një rendësi të madhe. Jo se e zgjidh problemin e dekomunistizimit të vendit por i heq mundësinë komunistëve, Sigurimit të Shtetit dhe të gjithë të tjerëve që përdorin dosjet për pushtet politik, përfshi edhe Berishën, të kontrollojnë opozitën antikomuniste dhe zhvillime të tjera politike në vend me shantazh.

Është e thjeshtë nëse dosjet hapen dhe publiku informohet për to: askush nuk mund tu bëjë atyre shantazh me dekonspirimin si spiunë në se këtë gjë e dinë të gjithë. Me pak fjalë, hapja e publikimi i tyre u heq mundësinë e përdorimit si armë politike, sundimtarëve të përjetshëm të pushtetit dje dhe sot në Shqipëri.

Forca e tyre mbeten dosjet e Sigurimit, me te cilat kontrollojnë gjithçka, politikën, ekonominë, mediat, artin e kulturën, me pak fjalë, jetën tonë të miliona shqiptarëve që vazhdojë ende të jenë viktima të komunistëve dhe Sigurimit të Shtetit të tyre.

Forum #Cika Berisha Meta