Aktualitet26 Shtator 2022, 10:46

· Kryesore

Shkruar nga Pamfleti
· Kryesore

Afro 27 kosovarë besohet se janë duke jetuar në Idbil të Sirisë, kështu të paktën ka deklaruar Bedri Elezi, ekspert i sigurisë  për InDoks.

Elezi ka treguar për historikun e grupit që fillimisht quhej “Xhemati Alban”, për historikun e këtij grupi, numrin e pjesëtarëve e deri tek niveli komandues  i tyre.

“Përafërsisht, aktualisht në këtë grup janë asilizuar përpos që ishin pjesë e Al-Nustrës janë aktivizuar luftëtarët shqiptarë edhe të Al… shembull disa të cilët ishin pjesë e ISIS-it por të cilët u shkëputën pak para se ISIS të vendosej nga zonat e Irakut atje ku edhe përfundojë në Banguz si fërtifikata e fundit që është njohur nga të gjithë”, ka sqaruar Elezi.

“Besohet që nga Kosova mund të jenë 27 luftëtarë”, ka thënë eksperti i sigurisë

Bedri Elezi që ka përcjellë këtë grup, dhe po ashtu thotë se ka kontaktuar edhe me pjesëtarë të tij, për InDoks ka ndarë edhe një histori tjetër që lidhet me grupin.

Sipas tij, vite më parë, një pjesë e tyre, që janë nga Kosova, tentuan që të vinin për riatdhesim, por procesi për ta realizuar këtë gjë dështoi.

InDoks ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për ti pyetur rreth këtij grupi, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës së emisionit.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë ka kthyer  javë më parë në Kosovë dy shtetas kosovarë nga zonat e luftës në Siri. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla,  kjo është vazhdimësi e punës së rikthimit dhe riintegrimit të qytetarëve nga viti 2019.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë sot kthyem dy shtetas tanë nga zonat e konfliktit në Siri”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.

Kosova ka ngecur në procesin e riatdhesimit

Sipas këshilltarit të ministrit të brendshëm, Lulzim Fushtica , Kosova ka ngecur në procesin e riatdhesimit të shtetasve të vetë për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit.

“Shumica e shtetasve tonë gjenden në kampet e kontrolluara nga forcat kurde. Por, aktualisht për shkak të pandemisë dhe kufizimi i lëvizjes, ne nuk kemi mundur të hartojmë një plan konkret me data se kur këta persona do të kthehen apo do t’u mundësohet kthimi në Kosovë”, tha Fushtica.

Ai shtoi se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, çdo qytetarë ka të drejtë të kthehet në Kosovë, por kjo nuk garanton se ndaj tyre nuk do të ketë procese ligjore.

“Të gjithë ata që kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë kryer vepra të ndryshme, do të procedohen sipas ligjit në fuqi”, tha Fushtica duke shtuar se plani i riatdhesimit, duhet të koordinohet me partnerët strategjikë, veçmas me Shtetet e Bashkuara.

Por, Bedri Elezi thotë se mungesa e një plani konkret për kthimin e grave dhe fëmijëve nga Siria është “pasojë e neglizhencës”.

“Edhe kthimi i grupit të parë është mbështetur dhe realizuar nga NATO-ja, përkatësisht nga Ushtria amerikane. Kosova ka pasur rol solid, ku një pjesëtar i AKI-së (Agjencia Kosovare e Inteligjencës) ka asistuar në procesin e identifikimit”, tha Elezi.

Sipas tij, shtetasit e Kosovës që kanë qenë në kampin Al-Hol, shumica janë zhvendosur në kampin tjetër Al-Roj, ku po përgatiten programe të de-radikalizmit.

“Sipas informacioneve që ne kemi, ata kanë filluar disa programe për de-radikalizim. Kjo gjë ka si synim që t’u a lehtësojë arsyetimin shteteve që duan të riatdhesojnë shtetasit e tyre. Kjo pasi, ka dyshime për radikalizim të thellë të atyre që kanë qenë pjesë e luftës së IS-it, i cili ka pretenduar Sheriatin dhe shtetin islam”, tha Elezi.

Ri-integrimi i të kthyerve

Në kuadër të Strategjisë kombëtare kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, qeveria i ka përcaktuar edhe katër objektiva: parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi. Por, zyrtarët thonë se suksesi nuk mund të shihet për një periudhë të shkurtër kohore.

“Kemi ofruar strehimin, kthimin nëpër shkolla, programe speciale të socializmit dhe risocializimit, pastaj punën ditore me psikologë dhe psikiatër. Të gjitha këto në kuadër të divizionit për ri-integrim dhe rehabilitim që detyrë kryesore e ka mbikëqyrjen në baza ditore të këtyre personave që janë kthyer nga vatrat e luftës”, sqaroi Fushtica.

Ai përmendi edhe programin e de-radikalizmit nëpër burgje.

Por, Bedri Elezi është kritik ndaj qasjes shtetërore, duke e cilësuar atë si selektive.

“Kemi pasur dy personat e fundit, të cilët kishin udhëtuar nga Kosova për në Siri. Të dy janë ndaluar bashkë në Turqi. Njëri është dënuar me vetëm një vit e gjysmë dhe i ka mbajtur vetëm gjashtë muaj, ndërkaq tjetri është dënuar me tre vjet e gjysmë dhe akoma po vuan dënimin e plotë. Personi që ka marr dënim më të lehtë, ka pas lidhje të afërta me politikanë apo me fuqi ekonomike”, tha Elezi.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2012, drejt Sirisë dhe Irakut udhëtuan rreth 400 kosovarë duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë, informon REL.

Më shumë se 70 kosovarë vlerësohet se janë vrarë duke luftuar krah organizatave terroriste, përkatësisht, grupit militant Shteti Islamik (IS).

Personat që arritën që të kthehen në Kosovë u përballën me procese gjyqësore, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënimet, ndërkohë që duke u hetuar janë edhe 32 gratë që u kthyen në muajin prill të vitit 2019 nga autoritetet kosovare, transmeton Pamfleti.

Kryesore