Aktualitet25 Maj 2018, 17:57

Si prind një thirrje të sinqertë kam për ty Linditë!

Shkruar nga Pamfleti
Si prind një thirrje të sinqertë kam për ty Linditë!

Prandaj Linditë kjo është një thirrje serioze, jepi mësuesve autoritetin që kanë patur, ktheja shkollës “namin” e mirë, ktheji tekstet shkollore në normalitet. Në këtë botë kaq të madhe Linditë nuk na duhet ndonjë sforco e madhe, thjesht të marrim konceptet bazë për t’i bërë ballë arsimimit edhe jashte (dhe gjithnjë ia kemi dalë në këtë aspekt), por mbi të gjitha ne kemi nevojë të edukohemi Linditë, dhe edukimi ka marrë fund në këtë Shqipërinë tonë të vogël. Për këtë fajin e ka shkolla. Dhe po e mbyll me një shprehje po tënden: ke kohë akoma për ta bërë, ke forca akoma për ta bërë dhe nëse nuk e bën Jazëk të qoftë Linditë!

Shkruan Blerina Quku

Para pak ditësh lexova disa fjalë që ministrja e Arsimit i kishte thënë gjatë një takimi me qytetarë. Të thëna ashtu në mënyrë aq babaxhane mendja të thotë që me të vërtetë kjo Lindita ka dashur të bëjë diçka. Se çfarë ka bërë dhe a janë reformat e duhura për t’u bërë kjo punë ha shumë diskutim dhe këto diskutimet pa fund na e kanë prishur seriozisht cilësinë e jetës.

Si prind një thirrje të sinqertë kam për ty Linditë!

Na kthe shkollën aty ku e kemi pasë, pasi mallkimi i shumë breznive do të na ndjekë pas, ju politikbërësve dhe drejtuesve të Arsimit (me rradhë ndër vite) dhe ne si prindër të këqinj pasi ishim të pafuqishëm dhe “pa za” përballë paaftësisë që ka kapluar dhe po na thërrmon arsim edukimin çdo ditë.

Të lutem Linditë drejtoji sytë nga arsimi parauniversitar dhe sërish sinqerisht po të them që këtu arsimi nuk po të çalon nga mungesa e komunikimit me prindër as nga ID tona, po të çalon nga paaftësia, nga njerëz që të rrethojnë dhe që të lajkatojnë çdo ditë. Nuk më intereson hiç (asnjë ndjesi skam) nëse ta jap ID ty apo shkollës, 100 herë apo miliona herë përsëri do ta kisha dhënë por ama:

–Më kthe rregullin ku shkolla shikohet si një institucion ku disiplinohesh, edukohesh dhe pastaj arsimohesh.

–Ki guximin dhe ndal celularë e nxënësve në shkolla (homologët e tu në botë e kanë bërë) që po na zënë frymën ty të parës, pastaj të gjithë zinxhirit të prindërve.

–Më jep mësues të rinj me dinjitet, që e dinë shumë mirë që përpos pasionit për edukimin e brezit të ri, u janë kthyer ata pushimet verore të zgjatura por të mirëmerituara, ajo rroga e lartë që dikur ishte në majat e shoqërisë, ai pensioni në moshë 50 vjeçare pasi një mësues nuk ka çfarë bën më në arsim pas kësaj moshe. Ngulit në kujtesën e këtyrë nxënësve mësues të bukur, të gëzuar, plot pasion, siç ne i kemi pas, dhe jo të kërrusur nga hallet, mosha … etj etj. (Dhe meqë jemi këtu, a më thua pak cili specialist administrate përgatit minimalisht 30 shkresa në ditë siç u takon sot mësuesve dosje për çdo nxënës, apo cili specialist administrate pret popull minimalisht 4 orë pa ndërprereje siç bëjnë mësuesit me fëmijët tanë?)

–Pash zotin Linditë na kthe matematikën e autorëve tanë se i kishim të shumë të mirë metodistët. Me dhimbset çuni kur ngatërrohet në përkthimet keq të “oksfordistëve” dhe matematika e Dedejt si me kryeneçësi ngre kokë dhe më duket sikur thotë “unë përsëri këtu jam”.

–Aman, Linditë, fëmijët tanë edhe me libra të vjetër, edhe pa politika komunitare, edhe me ore mësimi 45 minutëshe kudo në botë ishin të parët.

Forum