Aktualitet18 Janar 2019, 11:57

Si ra DEA amerikane në gjurmët e Klement Balilit dhe kujt i referohej me epitetin “njësh”

Shkruar nga Pamfleti

Si ra DEA amerikane në gjurmët e Klement Balilit dhe kujt i referohej me epitetin “njësh”

Operacioni i policisë greke prej nga ku doli në publik emri i Klemend Balilit përfundoi me sekuestrimin e vetëm 680 kilogramëve hashash. Kjo sasi e drogës nuk e bënte Balilin që të “meritonte” nofkën “Eskobari i Ballkanit”, ashtu siç u pagëzua më vonë nga mediat greke e shqiptare. Por, autoritetet greke ishin vënë në dijeni të një dosjeje amerikane, nga ku rezultonte se droga e kapur në operacionin në fjalë ishte vetëm maja e ajsbergut dhe një dëm i papërfillshëm për grupin e strukturuar kriminal, që kishte shtrirë aktivitetin e tij thuajse në të gjithë Europën.

Nga dosja e palës greke që i është dorëzuar edhe Prokurorisë për Krimet e Rënda në Shqipëri,  “Si” mëson se Agjencia amerikane “Drug Enforcement Agency”, njohur shkurtimisht si DEA ka rënë në gjurmët e Klemend Balilit të paktën që prej janarit të vitit 2014 në Belgjikë. Këtu, agjencia amerikane dhe autoritetet belge janë vënë pas një rrjeti të mirëorganizuar trafiku lëndësh narkotike. Emri i parë që doli ka qenë ai i shqiptarit Dhimitër Poti, banues në Bruksel të Belgjikës. Ky i fundit përmendet në hetime si kreu i logjistikës dhe një prej personave kyç në koordinimin e rrugëve dhe transportit dhe shpërndarjes së drogës në vendet e Bashkimit Europian.

Për të humbur gjurmët transporti i drogës kryhej përmes kompanive të ndryshme, që personat e akuzuar krijonin kryesisht në Bullgari, Greqi dhe në Austri. Në vitin 2014 Dhimitër Poti është bërë pronar i dy kompanive të transportit ndërkombëtar, njëra me seli në Bruksel dhe tjetra me seli në Bullgari. Sipas dokumenteve të hetuesve grekë, këto kompani ishin fasadë për maskimin e trafikut të drogës. Gjithashtu, kujdes i veçantë u kushtohej edhe shoferëve të kamionëve, të cilët ndërroheshin shpesh. Por, pavarësisht kujdesit të personave të përfshirë në këtë trafik, sipas hetimeve greke, në prill të 2015-ës, një shofer grek u ndalua në Britaninë e Madhe, pasi në kamionin e drejtuar prej tij u gjetën 23 kilogramë kokainë. Nga hetimet e mëvonshme u zbulua se droga transportohej për llogari të Dhimitër Potit. Ky i fundit, sipas policisë greke është njëri prej drejtuesve të organizatës shqiptaro-greke të trafikut, së bashku me Klemend Balilin dhe Georgios Alifandis.

Për Dhimitër Potin autoritetet greke kanë kërkuar edhe më herët informacion nga pala shqiptare, pasi dyshonin mbi disa transferta parash që shkonin në rreth 1 milionë euro, që ishin bërë nga Greqia për llogari të një kompanie që ai kishte hapur dhe më pas mbyllur në Shqipëri. Mes të arrestuarve nga policia greke është shtetasi greke, Harallamb Patsiavura. Ky i fundit në maj të 2016 ka tentuar që të transportojë nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së me një kamion të kompanisë “Floëers LTD”, e regjistruar në Bullgari dhe në pronësi të shtetases Maria Dardha. Vetëm koka e kamionit ishte në pronësi të Floëers LTD, ndërsa rimorkio e tij i takonte kompanisë “Tsaf Trans LTD”, pronë e vetë shtetasit Harallamb Patsiavura.

Pas arrestimit të tij në 2016-ën, mediat greke kanë publikuar një pjesë të dëshmisë së tij, ku ai pranon akuzat dhe thotë se me të njëjtën skemë, pra marrjes së kokës së kamionëve nga një kompani tjetër dhe rimorkiot e modifikuara nga kompanitë e krijuara nga anëtarët e grupit kriminal ka transportuar disa herë drejt vendeve të BE-së lëndë narkotike, kryesisht hashash. Dërgesa më e paktë, pohoi ai, ka qenë 250 kilogramë hashash dhe destinacioni kryesor i rrugëve që bënte ishte Holanda.

Në dëshmi ai zbulon se kishte raste kur nuk kthehej duarbosh në Greqi, por pasi shkarkonte hashashin i ngarkohej kokainë, që më pas ua dorëzonte shqiptarëve në Greqi. Por, cili ishte roli i Klemend Balilit në gjithë këtë trafik? Sipas dosjes hetimore greke, të cilës i është bashkangjitur edhe ajo e DEA-s amerikane, ish-kreu i transporteve të Sarandës ka qenë drejtuesi kryesor i grupit. Duke shfrytëzuar pozicionin në krye të transporteve, ai ishte në dijeni të lëvizjeve të autoriteteve dhe sesi të shmangte kontrollet për të hedhur drogën në Greqi dhe prej andej me ndihmën e miqëve të tij grekë dhe lidhjeve në Bruksel ta shpërndante në të gjithë Europën.

Emri i Klemend Balilit mendohet nga hetuesit grekë se del edhe në një telefonatë të përgjuar të Petro Dalanaj, shqiptari i arrestuar së bashku me Kleanth Palaj si transportues me skaf të 678 kilogramëve hashash në ishullin e Zakonthosit në prill të 2016, drogë që u sekuestrua nga pala greke. Biseda mban numrin “62” dhe ajo zhvillohet në shqip. Danaj e quan “Keli” personin me të cilin bashkëbisedon në telefon. Ai e pyet atë se çfarë orë duhet, ndërsa Keli e udhëzon që të niset dhe sapo të errësohet të futet në një gji. Nga ky përgjim pala greke beson se bëhet fjalë për organizimin e ngarkesës së skafit me drogë. Dalanaj i bindet, ndërsa personi me emrin Keli i thotë që të paraqitet menjëherë tek “njëshi”. Me “njësh” hetuesit greke dyshojnë se Klemend Balili në këtë telefonatë i referohet vetes. Kjo tregon, sipas tyre, rolin e tij si organizator dhe drejtuesi kryesor i trafikut të drogës.

codramol
smile

Aktualitet DEA Klement Balili