Editorial 3 Korrik 2022, 19:23

Si ranë të gjithë në kurthin e Bablokut në Skërficë!

Shkruar nga Pamfleti
Si ranë të gjithë në kurthin e Bablokut në

Si ranë të gjithë në kurthin e Bablokut në Skërficë!

Pak vite më parë, projekti i Skërficës tronditi një qeveri të tërë, aq sa i “hëngri kokën” ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, pasi refuzoi që t’i japë me firmën e saj tenderin Rrokut të tuneleve, i cili e ka bërë paranë publike si mallin e babës.

E vutë re besoj të gjithë pluhurin që ngriti dje në opinion, rendja pas baltovinës së shkaktuar dje, në përurimin e tunelit të Skërficës.

Analistë e opinionistë, opozitarë dhe publicistë u morën vetëm me banalitetin e ulët që ishte ndërtuar me një skenar perfid e djallëzor të Edi Ramës në rrugën e Kardhiqit.

I cili kishte urdhëruar bashkitë Gjirokastër e Tepelenë të sillnin te tuneli, të gjithë grupet folklorike, të cilët ishin prezentë prej disa ditësh në qytetin e gurtë në një festival për ritet pagane.

Madje, raportohet se kryebashkiakut i ka thënë në telefon që të dërgojë sa më shumë grupe për t’i pasur edhe në “stolin e rezervave” nëse lodhen të parët.

Pra i gjithë spektakli ishte planifikuar prej Edi Ramës që i gjithë mileti mediatik të zhytej në të thellë, siç ndodh me një të shastisur nga vapa e sapo gjen një pellg apo hurdhë të freskët uji.

E u morën me këngët, sulmuan popullin, militantët, folkloristët, të cilëve çfarë s’u thanë. Kur e vërteta është se ata grupe janë sajdisur padyshim se ndryshe nuk shkonin.

Është natyrisht e shëmtuar ai spektakël banal kur dëgjonim këngë e iso për Bablokun që gjasme nuk i ka qejf lajkat, por ky spektakël nuk është thelbi i asaj që duhej komentuar dhe analizuar nga ngjarja e djeshme.

Tuneli i Skërficës, është një vepër publike që ka brenda miliona që u janë marrë taksapaguesve, e që askush nuk ka reaguar për këtë, pra sa të ekzagjeruara kanë qenë kostot.

Pak vite më parë, projekti i Skërficës tronditi një qeveri të tërë, aq sa i “hëngri kokën” ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, pasi refuzoi që t’i japë me firmën e saj tenderin Rrokut të tuneleve, i cili e ka bërë paranë publike si mallin e babës. Që pa ju dridhur qerpiku lëviz mjetet shpuese nga Tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit e i çon në Llogara, duke lënë dibranët që të udhëtojnë sërish në një rrugë të frikshme… Në Llogara nuk ka asnjë firmë turke, por është vetë Rroku i Gjokajve, i cili bën ç’t’i teket.

Përse nuk thanë asgjë, askush nga ata që hodhën pluhur pafund në lidhje me spektaklin bajat të Edi Ramës në Skërficë.

Injoroni marrinat e një kryeministri që gjithçka e konsideron një cirk, ndërkohë nga ana tjetër lekët i merr e i çon ku të dojë njëlloj sikur t’i ketë të arkës së tij.

Qeveria merr borxhe të mëdha publike duke vendosur vetë, kryen koncensione të mëdha në shëndetësi, rrugë, porte e hekurudha, duke lëvizur fonde pa pyetur askënd, e të gjithë merren me budallallëqet e Ballukut e Kumbaros, që nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e cirkut të fshatit të Edi Ramës. Fshat që kompletohet edhe më shumë kur aty janë Tërmeti i Tepelenës dhe Golemi i Gjirokastrës, bashkë me Damianin, të cilët nuk dinë as gjeografinë e klasës 4 të shkollës fillore, duke ngatërruar Drinon me Vjosën e mufka që nuk mbarojnë kurrë.

Ndërsa Sali Berisha bën protestë për të mbetur me zor në politikë, e që të marrë zvarrë opozitën rreth vetes, askush nuk bën asgjë për të krijuar një masë të madhe proteste në lidhje me gjithë këto miliarda që Edi Rama i administron pa asnjë përgjegjësi dhe llogari.

Si ka mundësi që shpuesët e Gjokës ikën nga Rruga e Arbrit në Llogara, e atje nuk gërmon kush, e asnjëri nuk flet? Si mund të lihet në mes një vepër publike që ka afate, e për më shumë paratë ai i merr ditë për ditë, edhe kur i ka pezulluar punimet.

A do të marrë para shtesë për idiotësinë e tij që ka nisur hapjen e një tuneli pa e ditur si do të jetë masa gjeologjike? Padyshim që do të marrë, kur në fakt, edhe koncensionari në fjalë, por edhe ministrja duhet të shkojnë para gjyqit për këtë abuzim gjigand që kanë kryer me paratë e këtij vendi të varfër!

Ja për këto duhej të gjëmonte dje opinioni publik e jo për budallëlliqet që bën Rama me skenar masoviku, që më mirë e më bukur i kanë kryer punonjësit e dikurshëm të kulturës, sesa këto ministreshat e kryebashkiakët injorantë…/Pamfleti

Editorial isopolifoni Qafa e Skerficës Rama sonila qato