Të nesërmen ishte edhe me keq. Rrethuan e terrorizuar selinë e PD, rrahën e shanë të gjithë gazetarët që hynin e dilnin në redaksi dhe këdo që i binte rruga të kalonte nga selia e vjetër e PD, natën vonë arrestuan me urdhër të Ilir Metës, Sali Berishën…
Shkruan Nebil Çika
Një histori proteste me Berishën dhe Metën!
Po shikoja këto thirrjet e Berishës dhe Metës për protestë nesër.
Me tone të forta, më të bashkuar se kurrë ndonjë herë dhe mu kujtua një kohë kur ne protestonin me thirrjet e Berishës kundër Metës kryeministër.
Kam marrë pjesë në shumë protesta të Doktorit, por këtë kundër Metës se harroj kurrë. Sipas thirrjes së doktorit, pas një sherri me Metën dhe Kryemadhin për ca të vrarë në një gurore në Dajt, kishin shpërthyer protesta në të gjithë vendin.
Një e tillë u organizua në Tropojë me rastin e vizitës së kryeministrit Meta atje.
Protestuesit sulmuan institucionet shtetërore.
Në sulmin ndaj komisariatit të policisë u vra njëri prej tyre, Sylë Lusha.
Në atë kohë isha zv/kryeredaktor i RD. Ngjarja në Tropojë u shoqërua me një valle terrori policor në të gjithë vendin. Selia e PD ku ndodhej edhe redaksia e RD u rrethua nga forca të shumta, kryesisht civilë të armatosur, në makina pa targa. Nga ora 12.00 e natës mbaruam gazetën, e drejtoja unë, pasi Kryeredaktori ndodhej në një vizitë në SHBA.
Sa dolëm nga redaksia, tek Ushtari i Panjohur makina jonë u rrethua nga disa makina civile pa targa, nga cilat dolën dhjetra civilë të armatosur me radio transmetues dhe pistoleta në duar.
Shoferi im, Ilir Arapi, hapi derën e makinës dhe tentoi tu thoshte se ishim gazetarë të RD.
Pa mbaruar fjalën, njëri prej tyre e goditi me shkelm në stomak ndërsa të tjerët e ngritën ne ajër dhe e përplasën jashtë makinës.
Hapën derën time dhe njëri prej tyre me vuri pistoletën në kokë dhe më urdhëroi të dilja nga makina. Kështu bënë edhe me rojen e gazetës, Piron, që ishte në ndenjësen e pasme të makinës.
Na çuan me pistoleta në kokë pas një kioske në errësirë duke na kërcënuar, sharë me libër shtëpie për më shumë se gjysmë ore. Ndërkohe që disa të tjerë e bënë fije-fije makinën, gjoja për kontroll. Mendova që donin të fusnin ndonjë armë apo drogë në makinë, me qëllim të na arrestonin. Dikush nga ata, që duhet të ishte shefi, foli në radio me dikë: Kemi kapur këta shkërdhatat e RD, çfarë të bëjmë me ta? – e pyeti. Prit të pyesim – ishte përgjigja nga ana tjetër e radios. Nuk e mora vesh kë do pyesnin, ndoshta kryeministrin Meta!
Pas pak edhe përgjigja po me gjuhë edhe më fyese e ordinere:
Lirojini ata b.q e RD!
Na liruan, dhe nën sharjet e tyre që nuk pushonin u larguam.
Të nesërmen ishte edhe me keq. Rrethuan e terrorizuar selinë e PD, rrahën e shanë të gjithë gazetarët që hynin e dilnin në redaksi dhe këdo që i binte rruga të kalonte nga selia e vjetër e PD, natën vonë arrestuan me urdhër të Ilir Metës, Sali Berishën!
Kujt ja priste mendja 20 vjet më parë që ajo dhunë e terror do të harrohej sikur të mos kishte ndodhur kurrë dhe agresori do të thërriste viktimat në protestë!