Në të gjithë klinikat e QSUT-së ka një regjim monarkik të menaxhimit të departamenteve: janë të njëjtët mjekë që prej 30 vjetëve kanë zënë rrënjë dhe kanë krijuar tarafet e tyre. Disa kanë qenë deputetë; ministra, kandidatë për deputetë, duke krijuar lidhje kush me PS-në, kush me PD-në dhe kush me LSI-në. Dhe duke çimentuar kështu pozicionin monopol e duke e kthyer spitalin në një ndërmarrje private ku vjelin para nga pacientët.
Rasti i mjekut Edvin Prifti, i cili më shumë se mjek është kreu i katedrës së operacioneve të zemrës në QSUT ka harxhuar një energji të madhe në opinionin publik shqiptar.
Më shumë kanë tentuar ta mbrojnë mjekun sesa të shprehin dyshimet mbi faktet që ai është akuzuar.
Megjithatë, çështja e dr.Priftit në këtë rast është një dosje e drejtësisë, që normalisht duhet pritur çfarë ka prokuroria e çfarë do të vendosë gjykata. Siç është pritur edhe për çështje të tëra, të mëdha e të vogla, kur hetimet kanë nisur zyrtarisht.
E në këtë rast, çdo ankesë për një ekzagjerim të SPAK-ut, në këtë rast në dëm të të drejtave të shefit të kardiokirurgjisë, edhe pse ju gjetën 500 milionë të vjetra kesh në Shqipëri, nuk ka rrugë tjetër veçse të ndiqen veprimet e drejtësisë.
Çështja është krejt tjetër. Kjo, pasi kushdo shqiptar e di që sistemi shëndetësor në Shqipëri, flasim kryesisht për atë spitalor të specializuar, por edhe të tjerët, është një sistem që ka promovuar më shumë modelët e kokoroçëve që bëjnë jetë luksoze.
Kemi mjekë në spitalet shtetërore që jetojnë në luks; ngasin Land Rover-a, Range Rover-a, Mercedesa të viteve të fundit, jetojnë në shtëpi luksoze, kanë banesa në bregdet, bëjnë pushime luksi jashtë shtetit, i kanë kthyer klinikat shtetërore në monopole dhe gjysëm private etj. Këto janë fakte; që po ashtu të gjitha këto të mira i kanë vetëm sepse shërbimin e tyre me mjetet e shtetit ndaj qytetarëve e japin nëpërmjet kembimit të parave.
Rryshfeti nuk ka funksionuar në gjithë këto 30 vjet si dhuratë pacienti, por si mekanizëm shërbimi. Modeli i dypunësimit në spitalet private, edhe pse i paligjshëm, i parregullt, nuk është ai që i siguron këtyre mjekëve një jetë luksoze.
Është një model që e njohin të gjithë; një qytetar që operohet në një nga klinikat tona universitare paguan për shërbimin; paguan kirurgun, anestezistin, infermierin etj.
E duke qenë kështu, operacioni si instrument shëndeti është kthyer në një mekanizëm që edhe në raste të veçanta imponohet, ngase është një “biznes përfitues”.
E në këtë rast, justifikimi, qoftë publik, qoftë mediatik, qoftë politik i këtij mekanizmi është thjeshtë sadist. E këtu nuk se e kanë fajin qytetarët e shoqëria, por në radhë të parë qeveria që ka lejuar, lejon dhe mbron këta mjekë që bëjnë biznes me jetën e qytetarëve.
Në të gjithë klinikat e QSUT-së ka një regjim monarkik të menaxhimit të departamenteve: janë të njëjtët mjekë që prej 30 vjetëve kanë zënë rrënjë dhe kanë krijuar tarafet e tyre. Disa kanë qenë deputetë; ministra, kandidatë për deputetë, duke krijuar lidhje kush me PS-në, kush me PD-në dhe kush me LSI-në. Dhe duke çimentuar kështu pozicionin monopol e duke e kthyer spitalin në një ndërmarrje private ku vjelin para nga pacientët.
Korrupsioni në QSUT ja bën ‘Muu’ që sa hyn në parkingun e saj, ku një qytetar paguan 100 lekë ora çdo qëndrim për të çuar një të sëmurë apo për të vizituar dikë. Një sistem korruptiv, i nisur që në kohën kur LSI-ja kishte ministrinë e Shëndetësisë, por që më pas vijoi duke u konsoliduar edhe më shumë.
Në 8 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kurrë nuk janë promovuar mjekët realisht të ndershëm dhe që respektojnë Betimin e Hipokratit, por pikërisht kjo elitë e korruptuar. Personi i arrestuar nga SPAK, ka pasur denoncime nga qytetarët që herët se merr para nga pacientët, madje këto shqetësime ja ka bërë të ditur edhe Manastirliu kur drejtonte QSUT-në.
Por kreu i kardiokirurgjisë ja ka plasur letrën e denoncimit surratit ministrës së sotme, duke i thënë se unë marr më shumë se të thonë e do të vazhdoj ta bëj.
Ndërkohë që ne kemi shembullin më kuptimplotë të mjekut që i shërben publikut, profesor Tritan Kalo, i cili ka vite e vite që kritikon këtë korrupsion në shëndetësi dhe zëri i tij është lënë në hije. Vetëm sot kur kontributi i tij u bë i domosdoshëm ngaqë është epidemiolog, si pasojë e Covid 19, u pa vlera e vërtetë e punës dhe përkushtimit. Një mjek që nuk ka vila, makina të shtrenjta apo shtëpi në det, por që ecën me autobuz.
Profesor Kalo është modeli “françeskan” i një mjeku, si duhet të jetë, njeri human dhe natyrisht i përkushtuar, e kurrsesi një zhvatës, kurrsesi një agjent shitjesh që vendos çmime.
Ky model nuk se lindi nga hiçi, pasi në historinë e Shqipërisë mbahen mend mjekë të tillë që kanë shërbyer për gjenerata e gjenerata. Si i madhi Frederik Shiroka, gjeniu i kirurgjisë europiane i diplomuar në Vjenë, që la pagesën e lartë në zemër të Europës dhe erdhi në kënetën shqiptare për të themeluar kirurgjinë e vendit të tij.
Ku natyrisht u pagua keq, ku punonte 24 orë, por megjithatë pati bekimin e mijëra e mijëra njerëzve
Sot, thuajse pjesa më e madhe e krerëve të klinikave spitalore kanë mushur moshën e pensionit, por askush nuk i lëviz, pasi duan të mbajnë sërish duart në “mjaltë”.
Situata shpërthen ose kur bëhet skandal në media, ose kur ndonjë mjek sulmohet nga të afërmit e pacientëve, por askush nga institucionet nuk heton këtë vjedhje gjigande që u është bërë qytetarëve në vite. Dhe kur ndodh, ngrihen njerëz me zë publike për t’i mbrojtur, duke justifikuar rryshfetin…/Pamfleti