Aktualitet10 Tetor 2022, 16:02

Si ziejnë disa në luftë me "regjimin"!

Shkruar nga Pamfleti
Si ziejnë disa në luftë me "regjimin"!

Këta ‘elefantët pa mend’ që nuk dallojnë as burrin me gruan, këta flasin për ‘regjimin’ dhe gërmushen se ‘do të rrëzojmë regjimin’…

Shkruan Frrok Çupi

E takova krejt rastësisht dhe më ndali për të më treguar për një program të ri televiziv që po e ‘thurte’. Më tha ‘a do të më vish’ në emision kur të jem gati?

-Po!, i thashë! Menjëherë, i thashë. ‘Po’ menjëherë sepse e di që është korrekt e përpiqet për ‘të hedhur bomba’. -Mirë, vëlla, po si e shikon situatën?

-Mirë më duket! – iu përgjigja dhe u bëra gati të më lëshonte dorën e të largohej i pakënaqur me përgjigjen time.

Por ndodhi e kundërta. Ai veçse vuri dorën e majtë të tij në ballë e ma shtrëngoi më shumë dorën me tjetrën.

-Mirë, ë!? Po ky i ka të gjitha pushtetet në dorë, tha ai, duke nënkuptuar kryeministrin Rama.

-‘Të gjitha!… Sa ‘të gjitha’? Tre pushtete janë gjithsej në Republikën tonë, i thashë, e nuk desha të shfaqesha shumë ‘teorik i shtetit’ para një kolegu. Megjithatë më detyroi ta zgjas edhe pak e t’i them se ‘dy pushtete, d.m.th., qeverinë dhe Parlamentin, Rama i ka në dorë me ligjin kushtetues’. Të tretin s’e ka në dorë. Amerika mund të thuash se e ka në dorë Drejtësinë.

-Mirë, mirë!, tha dhe e ktheu pak fjalën: ‘Po opozitë nuk do të ketë?… Se kjo nuk është opozitë!’.

-Do të ketë, kur të vijë koha!, i thashë,- tani nuk po shikoj gjë.

-Domethënë po ky regjim do të jetë!, tha miku im, gati- gati duke u lëshuar në dëshpërim. ‘Ky regjim nuk do të ndërrohet!’.

Me siguri edhe në studio, kur t’i shkoj, rreth kësaj pyetjeje do të vërtitet ‘për regjimin’.

Janë me mijëra ata që sapo nisin ndonjë bisedë politike, menjëherë e çojnë fjalën te ‘regjimi’. Më të shumtët e më të zjarrtit janë politikanët, madje ata politikanë që i kemi mbajtur në krye e i kemi dhjamosur si elefantë një jetë të tërë. Idiotë komplet! Ngrihen në Parlament e thonë ‘se regjimin tuaj i kalbur… do ta përmbysim’. Shkojnë në katund e thërrasin ‘do të shembim regjimin e Ramës’. I lënë katundarët me gojë hapur; e këta shkojnë në shtëpi ku i presin gratë: ‘Hë, more, ça u tha në mbledhjen e të madhit tuaj?’.

-Nuk e di, grua, për mirë u fol. Do të shembin regjimin e Ramës.

-Ndonjë ulje çmimi për nitratin, a ngritje çmimi për domaten…, a u tha gjë?- pyet gruaja.- E çfarë është ky regjimi mor burrë?

-Nuk e di grua, ça është, Partia e di.

… Ja kjo është biseda e pjesës së poshtme mbi regjimin.

Këta ‘elefantët pa mend’ që nuk dallojnë as burrin me gruan, këta flasin për ‘regjimin’ dhe gërmushen se ‘do të rrëzojmë regjimin’. Akoma deri më sot nuk ka dalë njeri t’u thotë:

“Pse mashtroni more krokodilë? Ku është regjimi që thoni ju? Nuk ka regjim”.

Fjala ‘regjim’ ka një lidhje me diktaturat dhe autokracinë, jo me sistemin ku jetojmë. Ky është thelbi. Politikanët e dështuar nuk kanë pikën e turpit që u shkojnë njerëzve nëpër ograje dhe u premtojnë një gjë që nuk ekziston. Nuk ekziston ‘regjimi’ politik. U premtojnë se ‘do ta shembin”… Çfarë do të shembim, ligjin, parlamentarizmin, votimet, elektoratin, tregun, lirinë…?

Kjo që jetojmë ne, si edhe fqinjët tanë, si edhe qytetërimi perëndimor…, ky nuk është ‘regjim’; është Demokraci dhe demokracia është ‘Sistem’. Ky që jetojmë është ‘sistem i vlerave’.

… Nuk fola më gjatë me kolegun tim, por ndoshta duhet folur të paktën në studio kur t’i shkoj, se si po manipulojnë ‘elefantët’ dhe si po ‘ziejnë’ të vegjlit, duhet folur saktë.

Forum Cupi pushtetet regjimi