Aktualitet10 Nëntor 2022, 12:16

“Situata aktuale duhet ta bëjë qeverinë më të përulur”, Fatmir Xhafaj “thumbon” Ramën: Boll me sulme ndaj drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti
“Situata aktuale duhet ta bëjë qeverinë më të

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka lëshuar të tjerë “thumba” ndaj kryeministrit Edi Rama. Xhafaj është arkitekti i Reformë në Drejtësi, por kryeministri ka nisur një sulm frontal ndaj drejtësisë së re.

Pak kohë më parë target ishte Prokuroria e Posaçme, por Rama ka ndryshuar shënjestër duke sulmuar ditët e fundit Prokurorinë e Tiranës. Kryeministri e cilësoi dje këtë organ si sportel ku bëhen pazare.

Por Xhafaj ka kërkuar që të marrin fund anatemimet ndaj drejtësisë. Ai mori fjalën në Kuvend për të diskutuar mbi buxhetin, duke u ndalur dhe te fondet që kanë shkuar për drejtësinë.

Buxheti të përdoret për efektivitetin e drejtësisë. Njerëzit e drejtësisë duhet të japin rezultate konkrete veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Me reformën në drejtësi ka ndryshuar formatimi i institucionit të drejtësisë, por nuk ka ndryshuar ose ka ndryshuar shumë pak qasja jonë ndaj sistemit. Nuk është vonë për të reflektuar”, tha ai. Edhe pse nuk foli me emra, duket qartë se shënjestra e Xhafajt është te Rama.

Por me tej Xhafaj ishte akoma dhe më i drejtpërdrejtë. Ai i kujtoi Ramës shprehjen “shtriji këmbët sa ke jorganin”, duke thënë se ajo nuk ka vlerë nëse në kohë krize bëhen investime me vlera të jashtëzakonshme.

Situata aktuale duhet ta bëjnë qeverinë shumë më të përulur, shumë më komunikuese me grupet e interesit e kryesorja e të jetë transparente e të angazhuar realisht në luftën kundër korrupsionit me menaxhimin e përdorimin e fondeve buxhetore.

Bie dakord më disa masa shtrënguese në buxhet megjithatë është absurde që kur flasim për kohë lufte të programojmë disa investime dhe shpenzime si në kohë paqeje. Që të ketë kuptim dhe ajo shprehja “shtriji këmbët sa ke jorganin”, tha ai.

Më tej ai shfaqi kritika mbi debatin e zhvilluar në Kuvend për buxhetin. Sipas tij, për shkak të situatës në sallën e parlamentit ka humbur besimi i qytetarëve te politika. Sipas Xhafajt, një retorikë e tillë duhet të marrë fund.

Ka shumë arsye pse në këtë legjislaturë të bësh debat të këtij niveli. Por një gjë është e sigurt, kjo sallë e çfarë ndodh këtu është një nga arsyet kryesore pse ka shifra kaq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshëm që na ndëshkojnë fort. Por dhe pse ka kaq shumë pesimizëm, mosbesim e dëshpërim jashtë saj e veçanërisht tek të rinjtë dhe pse një pjesë e tyre vijojnë të largohen nga vendi.

Kjo retorikë e turpshme, ca më keq ,ka dalë dhe jashtë kësaj salle në gjuhë të huaj, ku vendi po shënjohet si simbol i shumë të këqijave. Dëm më të madh nuk mund t’i bëhet imazhit të vendit e sidomos mijëra shqiptarëve që po enden dyerve të botës për një jetë më të mirë. Jemi përfshirë në këtë vorbull ethesh pushteti e marrëzie politike”, tha ai.

Kryesore Buxheti Rama Xhafaj