
Situata e vështirë si pasojë e reshjeve, mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile, Peleshi: Jemi në gatishmëri
Vështirësitë e krijuara nga reshjet e shumta të shiut në vend, kanë sjellë mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës ku rreziku i përmbytjeve është më i lartë.
Por diskutime janë bërë edhe për situatën e krijuar në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shkruan se së bashku me kryebashkiakët dhe prefektët është rënë dakord për planin e masave parandaluese.
“Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë, ku rreziku për përmbytje është edhe më i lartë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.
Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta.
Jemi çdo minutë në monitorim të situatës. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve”-shkruan Peleshi.