Bota28 Nëntor 2022, 16:50

Situata në Mal të Zi, Stano: Aktorët politikë të përmbahen nga çdo veprim që thellon krizën

Shkruar nga Pamfleti
Situata në Mal të Zi, Stano: Aktorët politikë të

Situata e Malit të Zi, prej disa kohësh është e tensionuar. Çështjet e brendshme politike i ka shoqëruar edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, është shprehur se, “Bashkimi Evropian po ndjek i shqetësuar dhe me shumë kujdes situatën në Mal të Zi”.

Me tej ai shtoi se është shumë e rëndësishme të zhbllokohet situata në vend dhe institucionet të normalizohen.

“Kujtojmë dhe këmbëngulim që të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga çdo veprim që mund të thellojë më tej krizën institucionale në vend dhe të dëmtojë funksionimin e institucioneve demokratike. Ata duhet t’i japin përparësi ndërtimit të konsensusit”, tha Stano në konferencë për media.

Ai theksoi se sa i përket paketës së energjisë synohet të lehtësohen çmimet e larta për amvisëritë, përfshirë edhe bizneset e vogla.

Më 18 nëntor, kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, pas takimit me kryetarët e partive parlamentare, bëri të ditur se nuk kanë arritur marrëveshje për asnjë çështje.

Në këtë takim mori pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç, ndërsa liderët e Frontit Demokratik dhe Lëvizjes Qytetare URA refuzuan ftesën, por kishin dërguar disa përfaqësues.

Kërkesa e DPS-së ishte e qartë  tërheqja e amendamenteve për ndryshimet në Ligjin për Presidentin, zgjedhja e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Me votat e shumicës së vjetër parlamentare, të martën e 2 nëntorit në Kuvendin e Malit të Zi, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat paraqesin një sërë dispozitash antikushtetuese.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb ‘Frontit Demokratik’, ‘Demokratët’, dhe URA duan që presidenti malazez të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Gjithashtu, vlen të përmendet se edhe Bashkimi Evropian është i shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend, sidomos për shkeljen e Kushtetutës me miratimin e Ligjit për Presidentin, i cili, sipas tyre, abuzon qartë me dispozitat kushtetuese.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej kohësh, dhe deri atëherë mbetet e paqartë se çfarë rezultati ligjor dhe politik është i mundur nëse Gjukanoviç refuzon të shpallë Ligjin e ndryshuar për Presidentin.

Rajoni Aktorët politikë institucione Mal i Zi Peter Stano