
Sipas të dhënave nga regjistri i Gjykatës së Tiranës, kryetar i Partisë Demokratike figuron ende Lulzim Basha dhe sipas autorizimeve të tij, ai që mund të firmosë për emrat në KZAZ është Gazmet Bardhi si Sekretar i Përgjithshëm…
Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj këtë javë që vjen do përplasen për herë të parë për komisionerët e zgjedhjeve të 14 majit. PD nuk e ka zgjidhur ende në gjykatë ngërçin e krijuar me vulën dhe duket se tani konflikti do të transferohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Pak ditë më parë, KQZ njoftoi se komisionerë në KZAZ kanë të drejtë të kenë PS, PD, PL dhe PSD. Afati për të dorëzuar emrat ishte sot dhe të parët që dorëzuan listat në KQZ ishin Partia e Lirisë, Partia Socialiste, si dhe grupi i Berishës. Këta të fundit pretendojnë se janë ata përfaqësues legjitimë të PD dhe kanë dorëzuar emrat e komisionerëve. Ndërkohë grupi i Alibeajt dorëzoi emrat në limitet e afatit. Ishte Gazmet Bardhi, ai i cili rreth orës 20.00 të së dielës shkoi në KQZ dhe dorëzoi emrat e komisionerëve.
Vetë kreu i KQZ, Ilirian Celibashi pak ditë më parë u shpreh se institucion që ai drejton njeh vetëm ligjin dhe aktet e gjykatave. Sipas të dhënave nga regjistri i Gjykatës së Tiranës, kryetar i Partisë Demokratike figuron ende Lulzim Basha dhe sipas autorizimeve të tij, ai që mund të firmosë për emrat në KZAZ është Gazmet Bardhi si Sekretar i Përgjithshëm.
Pra duket se për sa kohë nuk ka folur ende Apeli, Berisha nuk ka anëtarë në KZAZ. Pas kësaj faze do të vijohet me komisionerët e Zonave të Votimit dhe Zonave të Numërimit dhe sërish Berisha do të mbetet jashtë. I vetmi ngushëllim i tij është Partia e Lirisë që do të ketë 1 komisioner.
Ndërkohë më 6 mars është afati për regjistrimin në zgjedhje. Berisha duket se do katandiset si në zgjedhjet e pjesshme lokale, pasi do të duhet të regjistrohet në logon e PL. Megjithatë topi tani ka kaluar në KQZ dhe nga nesër duket se do ketë një betejë të fortë aty. /Pamfleti