Prokurori Bilbil Mete ia mbathi nga drejtësia nga frika e përballjes me Vetingun për shkak të pasurive dhe mbylljes së dosjeve, u përjashtua me vendim të prerë për 15 vjet, i biri Ervin Mete jep mësim në Shkollën e Magjistraturës duke përgatitur gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Rama e ka shpërblyer duke e bërë kryetar të AMF ndërsa merr edhe disa rroga të tjera nëpër borde shtetërore
Ndodh edhe kështu. I biri përgatit prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, ndërsa babanë ia kanë përjashtuar nga drejtësia për 15 vite. Në mars të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelit vulosi me vendim të formës së prerë përjashtimin për 15 vite nga drejtësia të prokurorit Bilbil Mete, i cili ia mbathi nga drejtësia me dorëheqje nga frika e përballjes me Vetingun. Nëse më parë gjyqtarët dhe prokurorët bënin lloj-lloji marifeti për të shtyrë daljen në pension, duke manipuluar edhe moshën, Bilbil Mete, për shkak të frikës nga Vetingu, kërkoi të dilte me urgjencë në pension dy vite para se të mbushte moshën e përcaktuar në ligj. Por, Komisioni i Vetingut e vlerësoi dorëheqjen e Blibil Metes si largim nga drejtësia për shkak të frikës nga Vetingu, pasi ishte nën verifikim të hollësishëm. Kështu që Komisioni i Vetingut vendosi që ta përjashtonte me 15 vite nga drejtësia. Mete e ankimoi këtë vendim në Kolegjin e Apelit, por Kolegji la në fuqi vendimin e KPK-së, duke i vendosur Metes vulën e të larguarit nga drejtësia për shkak të frikës nga Vetingu.
Por, në një kohë kur ndaj Bilbil Metes kishte nisur procesi i Vetingut dhe prokurori po mendonte se si ta shmangte, për të mos ekspozuar detaje nga dosja e tij në publik, i biri Ervin Mete, jepte mësim në Shkollën e Magjistraturës, duke përgatitur prokurorët dhe gjyqtarët e rinj. Në Shkollën e Magjistraturës trajnohen edhe prokurorët dhe gjyqtarët aktualë, por nuk dihet nëse Ervin Mete i ka trajtuar edhe babanë e tij, se si të japë drejtësi! Ky është vetëm një nga rastet skandalozë në drejtësi, por tashmë skandalet po i mbivendosen njëri-tjetrit dhe po kthehen në normalitet. Nga ana tjetër, Ervin Mete, të cilit më parë i la Erion Veliaj një partiçkë me emrin G99, bredh sa në një post në një post tjetër të administratës me lejen e Edi Ramës. Aktualisht, Rama e ka vendosur Ervin Meten në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, por Mete merr edhe disa rroga të tjera nëpër borde shtetërore.
Ka dyshime të forta se Ervin Mete ka bërë karrierë me firmën e Ramës për shkak të rolit të babait të tij në mbylljen e korrupsionit të ministrave të Ramës dhe skandaleve qeveritare. Mbetet për t’u parë nëse Ervin Mete do të vijë të lulëzojë në krye të administratës pas rënies së babait të tij, i cili sipas një kushti të SHBA-BE, duhet të jetë subjekt i SPAK-ut. Përveç konfliktit të interesit, më i rëndësishëm është fakti sepse Bilbil Mete, një hetues që nga regjimi komunist, nuk priti të dilte në pension, por ia mbathi nga drejtësia dy vite para kohe, për t’i ikur Vetingut. Arsyeja lidhet me veprimtarinë e tij në prokurori në mbylljen e dosjeve dhe në pasurinë e tij të dyshimtë, e cila shtrihet nga Gjiri i Lalzit tek në Tiranë. Në vijim detaje nga pasuria marramendëse dhe e dyshimtë./ Pamfleti