Anti-Mafia17 Prill 2022, 09:27

Skandal/ Vila e gjyqtarit Murat Lleshi ende në oborrin e prokurorisë së Matit, asnjë masë penale. Sa para ka dhënë Lleshi

Shkruar nga Pamfleti
Skandal/ Vila e gjyqtarit Murat Lleshi ende në oborrin e prokurorisë

“O Murat, o Murat, bëj një gjyq dhe shto një kat!”

Ky postulat matjan i atribuohet matrapazit Murat Lleshi, gjyqtar në Gjykatën e Matit, të cilën e ka kthyer në pazarin e Klosit.
‘Bëj një gjyq’, nënkupton se Murat Lleshi ka tarifat e tij të pashpallura të pazarit për t’i ‘dhënë drejtim një çështje’, të cilat në varësi të rëndësisë së dosjes, variojnë deri në vlerën e një kati vile. Me këto para, sipas autorëve të postulatit, gjyqtari Murat Lleshi ndërton një kat në vilën e tij në Burrel. Kjo është njëra anë skandalit.
Ana tjetër konsiston në faktin se Murat Lleshi e ka ndërtuar vilën në oborrin e prokurorisë së Matit, një rast ky i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

Prokuroria e Matit zgjohet çdo ditë me një provë krimi në oborrin e saj, që është vila e ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe me para të dyshimta nga gjyqtari Murat Lleshi.
Thua kishte pak hapësirë në Burrel për të ndërtuar një shtëpi, por Murat Lleshi, duke përfituar nga pozita e gjyqtarit dhe mungesa e shtetit ligjor, ka vendosur ta ndërtojë në oborrin e prokurorisë.
Skandali është i trefishtë. Krahas burimit të errët të parave dhe ndërtimit të paligjshëm, policia dhe prokuroria nuk kanë vepruar, për të zbatuar ligjin, si për çdo qytetar tjetër që ndërton në mënyrë të paligjshme dhe aq më tepër në oborrin e një institucioni publik, pikërisht në oborrin e prokurorisë.

Çfarë mesazhi jep Prokuroria e Matit për qytetarët, shtetin ligjor dhe Perëndimin, kur bashkëjeton çdo ditë me një produkt kriminal në oborrin e saj që është vilat e matrapazit Murat Lleshi?!
Procesi i Vetingut për gjyqtarin Murat Lleshi ka nisur që në vitin 2020. Sipas burimeve, Lleshi mund të japë dorëheqjen sapo t’i ngushtohet laku i Vetingut, për të evituar zbulimin në publik të pasurive të tij, lidhjet me krimin dhe bëmat me vendimet skandaloze. Ka dyshime të forta se Lleshi i pazareve mund të ketë paguar për të shtyrë në kohë caktimin e datës, kur duhet të paraqitet në Komisionin e Vetingut, për t’u njohur me dosjen e verifikimit, duke e shfrytëzuar këtë kohë për të bërë dorën e fundit me çështjet.
Më shumë se një vit, është një kohë e mjaftueshme për Komisionin e Vetingut për të përfunduar hetimin, në kushtet kur Kuvendi ka plotësuar të gjitha kërkesat e KPK-së për shtim të kapaciteteve njerëzore.
Po si i justifikon vetë Murat Lleshi pasuritë e tij në ILDKPKI?
A ka fshehur pasuri në emër të familjarëve?
A ka fshehur pasuri në Tiranë?
A frekuenton në Tiranë vende duke diskretituar rëndë figurën e gjyqtarit? Vijon…/Pamfleti

Anti-Mafia #mase penale #Murat Lleshi gjyqtar Mat Prokurori Skandal vetting Vile