
Deputeti socialist Erion Braçe ka shpërthyer në akuza të forta për favoret që ju bëhen kompanive.
Kreu i Autoriteti të Konkurrencës, Denar Biba ishte sot për të raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe bëri me dije se gjoba e vendosur ndaj tre kompanive të importit të plehrave kimike është anuluar. Braçe u shpreh se kompanitë kanë lidhje të forta politike dhe arrijnë të rrëzojnë edhe gjobat.
“Natyrisht që ndodhemi në mes të një krize çmimesh, afërmendsh Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka në detyrë të caktojë çmimet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në mes të kësaj situate, qeveria ka zgjedhur një instrument të sforcuar. Unë nuk emocionohem fare se ato kompanitë shkojnë në gjykata e rrëzojnë gjoba. Përderisa ka mbështetje politike, shkojnë ku të duan ata. Ku të doni ju shkojnë. Edhe qeveria, thjesht”, tha Braçe.
Pak kohë më parë Konkurrenca gjobiti me shuma të konsiderueshme tre kompanitë e plehrave kimike, AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK.