
Siguria kombëtare është ndër të paktat fusha ku Presidenti i Republikës ka një pushtet, për të mos e thënë të zgjeruar, të paktën protagonist bashkë me institucionet e tjera si Kuvendi dhe Qeveria.
Megjithatë, Presidenti Bajram Begaj e ka kthyer Presidencën nga një institucion ku duhet të japin llogari dhe informojnë për çështjet e sigurisë kombëtare organet e tjera ligjzbatuese, përfshirë këtu edhe Shërbimin Informativ Shtetëror, në një aneks të këtij shërbimi.
Burime të Vox News informojnë se prej një muaji rrjeti informatik i Presidencës, që ishte ndër të paktit ku hakerat iranianë nuk kanë hyrë, është në duart e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Arsyeja se përse kodet e sigurisë kanë kaluar nga stafi i Presidencës te ai i Shërbimit Informativ thuhet se është sigurimi i një mbrojtjeje më të mirë për këtë sistem ndaj sulmeve të mundshme të hakerave.
Kjo është arsyeja që jep stafi rishtar që Bajram Begaj ka marrë me vete në Presidencë nga Ministria e Mbrojtjes. Por, burimet e Vox News pohojnë se e vërteta nuk lidhet me sigurinë, por me ‘gjetjen dhe identifikimin përmes këtij sistemit të armiqve të brendshëm të Presidentit Begaj’.
Kjo mund të tingëllojë si një luftë deri diku normale e brendshme, që Bajram Begaj ka hapur në Presidencë për të zbatuar më pas vizionin e tij në krye të shtetit. Në të vërtetë ky është një skandal dhe më i rëndi në morinë e skandaleve që Begajt i kanë plasur brenda pak muajve në këtë institucion.
Praktikisht, me dorëzimin e sistemit informatik të Presidencës në duart e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bajram Begaj ka dorëzuar Presidencën në duart e Edi Ramës. Pyetja që do përgjigje është nëse ky dorëzim është bërë nga paaftësia, apo është shërbimi i fundit që i bën Kryeministrit duke i dorëzuar çelësat e Presidencës.
Juridikisht Shërbimi Informativ Shtetëror detyrohet me ligj që të informojë Presidentin për çdo çështje që prek sigurinë kombëtare të vendit. Por, pas marrjes së këtij sistemi faktikisht SHISH është vetë Presidenti.
Se kush e ka në dorë SHISH, vendimi i qeverisë në fund të gushtit dhe deklarata e bërë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e tregon më qartë.
“Plotësim i një vakance të mbetur peng prej kohësh për shkak të kontradiktave konfliktit të lindur mes institucionit të presidentit dhe SHISH, një vakancë që u plotësua sot”, shprehej Çuçi./VOX