
Seanca parlamentare e ditës së nesërme pritet të jetë e mbushur me shumë debate e diskutime. Kryeministri Edi Rama do të japë sqarime për skandalin “McGonigal”, skandal i cili ka plasur si “bombë” në Partinë Socialiste.
Pasi i doli emri në dosjen e FBI, Rama u zhduk nga qarkullimi, por grupi i Alibeajt bëri një kërkesë për mocion me debat në Kuvend, duke kërkuar që Rama të sqarojë deputetët se çfarë lidhje ka ai me ish-agjentin e FBI dhe nëse është i përfshirë në afera.
Por duket se në mes ka hyrë edhe grupi i Berishës. Ata i kanë dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku kërkojnë që të ndryshohet rendi i ditës dhe të ketë debat pa limit. Sipas tyre, duhet që të gjithë deputetët të debatojnë për këtë pikë të rendit të ditës.
“Duke pasur parasysh se oligarku Oleg Deripaska duhet të ishte i sanksionuar edhe nga Shqipëria që prej 8 Prillit 2023, si vend kandidat që zbaton sanksionet e Bashkimit Europian, rezulton se ai vazhdon të zotëroje biznese të licensuara drejtpërdrejt nga Qeveria shqiptare, në shkelje të drejtpërdrejtë të këtij detyrimi politik dhe ligjor. Duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedente, ku Kryeministri shqiptar Edi Rama përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cenimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; si dhe bazuar ne Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 te Rregullores se Kuvendit, një grup deputetesh kërkon: Ndryshimin e Rendit të Ditës të seancës së datës 02.02.2023, ora 10.00; Kërkojmë që debati të mos ketë limit kohor, duke i dhënë mundësinë çdo deputeti të shprehet”, thuhet në kërkesë.
Duhet theksuar se Berisha dhe disa deputetë pranë tij janë përjashtuar nga seanca pas ndodhive të javës që kaloi, por ish-kryeministri paralajmëroi sot se nuk do të jetë një seancë e qetë. Tashmë është bërë traditë që “Foltorja” ta bllokojë seancën dhe mbetet të shihet nëse ushtarët e Berishës do zbatojnë urdhrat e deputetit “non grata” nesër, nëse Nikolla refuzon kërkesën.
“Nuk e lëshojmë ne Parlamentin, le të marrin çdo masë, le të sillen si të duan. Ne aty do mbrojmë interesat e kombit shqiptar. Ndaj dhe ta harrojnë ata se përjashtuan 5, po ju jeni të tjerë sa 15 më shumë. Të përgatitet Rama se lojërat me Alibashën, se keqpërdorimi i Lindës nuk do ia zgjidhin dot problemet atij. Ai Parlament ka parë të gjithë llojet e kryetarëve, por kurrë si ajo nuk ka ekzistuar aty”, deklaroi Berisha sot në mbledhje grupi.
Me 10 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare janë përjashtuar edhe deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Edi Paloka.