AKU ka bllokuar të gjithë linjën e prodhimit të kosit dhe salcës së kosit të kompanisë së përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, “Gjirofarma”.
Përmes një njoftimi, AKU konfirmon se nga analizat e bëra në Institutitin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare në produktet e sipërpërmendura të “Gjirofarmës” është konstatuar një Ngarkesë e Përgjithshme Mikrobike, enterobakter, mbi normën e lejuar. ISUV dyshon se bakteri në fjalë ka mbërritur deri te prodhimet e kompanisë “Gjirofarma” përmes jashtëqitjes së kafshëve.
Po ashtu, mësohet se është bllokuar edhe sasia e produktit të gjendur brenda fabrikës pasi dyshohet se po ashtu është e kontaminuar me këtë bakter.
Por çfarë është “enterobakteri” dhe sëmundjet që shkakton në trupin e njeriut?
Enterobakteret kanë si habitatin e tyre natyror sistemin tretës të kafshëve, kryesisht zorrët. Prandaj edhe kanë marrë emrin “entero-zorrë” nga greqishtja e lashtë. Ata janë të kudondodhur në natyrë; prania e tyre në zorrët e kafshëve bën që të ketë një shpërndarje të tyre të gjerë në tokë, ujë dhe ujërat e zeza. Ato gjenden gjithashtu në bimë.
Tek njerëzit, specie të shumta Enterobakteri njihen si organizma që shkaktojnë sëmundje të ndryshme, duke përfshirë infeksionet e syve dhe lëkurës, meningjitin, baktereminë (infeksion bakterial të gjakut), pneumoni dhe infeksione të traktit urinar.
Njoftimi i AKU-së:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
AUTORITETI KOMBËTAR I USHQIMIT
NJOFTIM PËR KONSUMATORËT
Tiranë, më 12.01.2022
TËRHEQJE NGA TREGU E PRODUKTEVE TË PASIGURTA
AKU njofton konsumatorët se produktet e operatorit të biznesit ushqimor me inicialin “Gj”, pas analizave të vetëkontrollit, u kostatuan me vlerë mbi normën e lejuar të Ngarkesës së Përgjithshme Mikrobike (NPM) enterobakter.
Menjëherë me marrjen e këtij njoftimi nga ISUV, AKU ka reaguar për ndjekjen e rastit dhe marrjen e masave në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi nga Drejtoria Rajonale e AKU-së, sipas gjurmueshmërisë së produktit dhe gjetjeve të kontrolleve zyrtare të kryera.
Subjekti është urdhëruar të tërheqë nga tregu produktet e rezultuara pozitive.
Është kryer bllokimi i linjës së prodhimit të produktit kos dhe salcë kosi, si dhe u vendos bllokimi i sasisë së produktit të gjetur prej të cilit u morën mostra për analizim për treguesit e NPM-së.
AKU pas kryerjes së inspektimit në magazinën e subjektit, ka marrë konform legjislacionit në fuqi masë administrative gjobë dhe masë urgjente të ndërprerjes së kryerjes së veprimtarisë.
Sigurojmë konsumatorët se AKU vijon inspektimin e subjektit edhe në produkte të tjera.