Aktualitet31 Janar 2023, 21:47

Skandali “McGonigal”, Berisha ngre qytetarët në protestë më 11 shkurt dhe kërcënon me trazira

Shkruar nga Pamfleti
Skandali “McGonigal”, Berisha ngre qytetarët në

Ish-kryeministri Sali Berisha do të nxjerrë militantët në protesta për rrëzimin e qeverisë. Sot ai mblodhi Kryesinë e partisë dhe u vendos që 11 shkurt në orën 12.00, të mbahet një protestë kombëtare, e cila vjen pas skandalit “Mc Gonigal”.

Berisha tha pas mbledhjes, se takimet e Ramës me ish-zyrtarin e FBI kishin si qëllim që të asgjësohej opozita dhe për këtë arsye ai u shpreh se qytetarët do të ngrihen deri në rrëzimin e kësaj qeverie.

Koha është të flasë opozita. Të flasë deri në largimin e kësaj kalbësire, të këtij turpi dhe këtij njeriu që nuk ka asnjë parim dhe asnjë normë, asnjë moral. Nuk ka nder dhe dinjitet. Që nuk ka asnjë kufi për të qëndruar në pushte pavarësisht se çfarë i shkakton vendit të vet dhe partnerëve ndërkombëtarë. Më datën 11 shkurt Shqipëria marshon drejt Tiranës. Tirana vërshon në rrugë dhe sheshet e saj”, tha ai pas mbledhjes.

Ndërkohë në nisjen e mbledhjes, Berisha kërcënoi me trazira. Ai tha se nuk do të ketë qetësi derisa Rama të largohet nga kjo qeveri. Berisha kërkoi nga deputetët mobilizimin e militantëve.

Ne duhet të bëjmë mobilizimin e shqiptarëve për një përgjigje të fundit ndaj kësaj qeverie. Rama duhet larguar nga pushteti. Nuk do ketë paqe e stabilitet me një njeri që jo vetëm, shkelmon çdo ditë mbi lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Me një qeveri që vjedh çdo ditë fondet, vjedh pasuritë publike. Ju bëj thirrje qytetarëve të ngrihen në protesta të fuqishme. Asnjë shqiptar që është sot në Shqipëri dhe kudo në botë, asnjë shqiptar që ka jetuar në këtë vend nuk meriton kurrë një kryeministër si ky që nuk ka asnjë parim as, flamur, as nder, as ideal, përveç interesit të ngushtë”, tha ai.

Skandali “McGonigal” ka shkaktuar reagime të shumta jashtë dhe brenda vendit dhe duket se opozita nuk do lejojë që të kalojë kaq lehtë ky debat. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë efekti do të ketë protesta.

Kryesore Berisha Protesta