Politike27 Janar 2023, 10:13

Skandali “McGonigal”, Meta: Rama shkeli Kushtetutën, deputetët të mos sillen si kukulla

Shkruar nga Pamfleti
Skandali “McGonigal”, Meta: Rama shkeli Kushtetutën,

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta akuzon kryeministrin Edi Rama se ka shkelur Kushtetutën e vendit, duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.

Meta thekson se përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant.

Sipas tij, asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e “Ramagate” në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh!

Ai iu bën thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës.

“Përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama në postin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Ndaj hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

Edhe më i domosdoshëm është hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme dhe mafioze nga Edi Rama, i cili e përdhosi zyrën e Kryeministrit duke joshur e korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik dhe instalimin e plotë të narkoshtetit dhe kleptokracisë”, tha Meta.

Më tej Meta shtoi se Edi Rama ka shkelur kushtetutën, duke u bërë thirrje deputetëve të mos sillen si kukulla.

“Edi Rama nuk është vetëm në konflikt interesi me detyrën e Kryeministrit por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend. U bëj thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës, por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e “Ramagate” në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh!”, shkruan Meta në Facebook.

 

 

Politike Ilir Meta McGonigal