Emërimet në administratën e lartë shtetërore nuk po ndjekin kriteret profesionale dhe të integritetit të figurës, duke bërë që në këto pozicione të vendosen persona me shkelje të shumta ligjore. I tillë është rasti i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji kritikuar ashpër qeverinë Rama duke e akuzuar se nuk njeh limite në emërimin e drejtuesve të institucioneve dhe se njerëzit e emëruar në poste kyçe janë kapur me shkelje të rënda ligjore nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Salianji ka publikuar pjesë nga raporti i KLSH, ku behën me dije shkeljet e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, për të cilin është kërkuar shkarkimi nga detyra. Sipas Salianjit, kjo tregon degradimin e shtetit nga Rilindja.
“Degradimi i shtetit nga rilindja nuk njeh limite, drejtuesit e institucioneve në rastin më të mirë janë të paaftë, në shumicën e rasteve janë njerëz me cene, si drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve!
Pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit e kap në shkelje dhe kërkon largimin nga detyra dhe hetim Rama e pikas që ka ves dhe e emëron!
Sistem përmbys, në vend që t’i dorëzohen drejtësisë promovohet për të dorëzuar bizneset tek qeveria duke i kërcënuar me gjoba”, thekson Salianji.
