Aktualitet13 Qershor 2022, 15:56

Skandali me numrat e celularit, nisin hetimet nga Komisioneri për të Dhënat Personale

Shkruar nga Pamfleti
Skandali me numrat e celularit, nisin hetimet nga Komisioneri për të

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar pas skandalit me databazën e numrave të telefonit që kanë dalë në shitje. Një ditë më parë u zbulua skandali i radhës sa i takon të dhënave personale, pasi numri i celularit i gjithsecilit prej nesh është i aksesueshëm nga kushdo.

Në një reagim zyrtar, Zyra e Komisionerit bën me dije se do të ndërmarrë një hetim administrativ dhe për këtë kërkon bashkëpunim nga çdo institucion përgjegjës.

Zyra e Komisionerit është vënë në dijeni nga informacionet e publikuara në media, për shitjen në internet të një baze të dhënash në përmbajtje të të cilës ka gjeneralitete, numra telefoni dhe vendin e punës për 3 milionë qytetarë. Në mbështejte të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, Zyra e Komisionerit do të ndërmarrë një hetim administrativ, si dhe do të kërkojë bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes. Duke vlerësuar rolin e medias për ekspozimin e fenomeneve negative, Zyra e Komisionerit u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor (audio/vizive, të shkruara, online) që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale”, shprehet komisioneri në një deklaratë për mediat.

Në fund theksohet se opinioni publik duhet të tregojë kujdes të shtuar dhe të jetë i ndërgjegjësuar për të refuzuar përfshirjen në përdorimin/përhapjen e paligjshme të kësaj baze të dhënash nëpërmjet çdo mjeti e forme të komunikimit masiv.

Aktualitet komisioneri numrat Skandali