Anti-Mafia21 Korrik 2022, 13:03

Skandali me punësimet në RTSH, si u manipulua shpallja për drejtorin e uebit dhe babëzia me tenderat

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhen të tjera skandale sa i takon punësimeve në RTSH. Pak ditë më parë “Pamfleti” tregoi se si të njëjtët njerëz firmosin në 3-4 bordero duke shpërdorur taksat e qytetarëve.

Por në adresën tonë ka mbërritur të tjera fakte, ku tregohet se si manipulohen shpalljet për vendet vakte me qëllim që aty të futen njerëz të caktuar.

Sipas informacioneve, dy muaj më parë u hap një thirrje për drejtor uebi të Rtsh.al, por habia ka të bëjë me kriteret e vendosura.

Shpallja u bë njëkohësisht edhe për specialit dhe për redaktor përgjegjës. Por habia është se për postin e drejtorit kriteret janë më të buta se dy postet e tjera. Sipas informacioneve kjo manovër është bërë me qëllim që aty të futej një individ i paracaktuar.

Burime nga brenda RTSH, shprehen se nga shpallja për drejtor u hoq kriteri i shkollimit master shkencor, eksperienca 5 vjet si drejtues dhe njohja e gjuhës angleze. U vendos arsim i lartë pa specifikim, u ndryshua në 5 vite eksperiencë të përgjithshme dhe gjuha e huaj u vendos e paspecifikuar.

Sipas burimeve, pozicioni ishte përcaktuar për njeriun që e sollën kryeredaktor uebi fillimisht dhe që firmosi një tender mirëmbajtjeje 120 milionë lekë, 5 herë më shumë nga sa ishte më parë (25 mln lekë).

Komisioni i parë për tenderin e mirëmbajtjes u anulua pasi dy punonjës u detyruan ta firmosnin, gjë që nuk e bënë. Por që pas kësaj me shkresa të kryeredaktorit, u transferuan në pozicione të tjera dhe pas disa ditësh u hoqën edhe nga puna.

Pasi refuzoi komisioni i parë, në komisionin e dytë u vendos vetë kryeredaktori Gurjan Doçi dhe që firmosi tenderin. Dyshimet janë se për këtë gjë ai u shpërblye me postin e drejtorit të ueb, pasi rezulton se është ai fituesi i shpalljes.

Më poshtë po publikojmë të tria shpalljet, ku shihet qartë se kriteret për postin e drejtorit janë ndryshe dhe nuk përfshihet masteri apo gjuha e huaj specifike e mbrojtur. /Pamfleti

Anti-Mafia paga RTSH tendera