Anti-Mafia17 Korrik 2022, 21:51

Skandali në Durrës/ Pas arkave me kokainë që u zhdukën fshihet “Bana King”, Trifon Murataj “fut në xhep” të gjithë strukturat e portit

Shkruar nga Pamfleti
Skandali në Durrës/ Pas arkave me kokainë që u zhdukën

Pas skandalit në Portin e Durrësit fshihet “Bana King”. Policia vuri sot në pranga 20 persona në port, pasi një kontejner i mbushur me banane ishte hapur dhe ishin zhdukur 49 arka, të dyshuara me drogë.

Ndonëse autoritet e mbajtën të fshehur, kompania e cila disponon kontejnerin është “Zico Sh.p.k”, e biznesmenit të bananeve “Bana King”,  Trifon Murataj.

Autoritetet zbuluan se kontejneri nuk kishte vulën e sigurisë të plumbosur kur ishte shkarkuar, ndërkohë që vula i është vënë nga autoritetet e portit, duke ngritur dyshime për një rrjet të mirëorganizuar trafiku që favorizohet nga strukturat portuale.

Nga verifikimet rezultoi se mungonin 49 arka me banane dhe dyshimet janë se në to ka pasur kokainë. Trafiku i kokainës përmes banave është rritur ndjeshëm kohët e fundit dhe dyshohet se e njëjta gjë ka ndodhur me kontejnerin e “Bana King”.

Task Forca dyshon se hapja e kontejnerit ka ndodhur gjatë natës, ndaj janë arrestuar të gjithë punonjësit e turnit të dytë, ndërkohë mungesa e punëtorëve të terminalit ka ndikuar dhe në përpunimin e anijeve me kontejnerë.

Kontejneri ka mbërritur nga Ekuadori dhe me t’u shkarkuar nga anija, u depozitua në zonën e sheshit portual, ku ndodhen edhe shumë kontejnerë të tjerë në pritje të firmave përkatëse për të kryer procesin e zhdoganimit. Pra të gjithë punonjësit e portit duket se janë të përfshirë.

Historiku i përfshirjes së “Bana King” në trafiqe është i largët. Kompania e Trifon Muratajt është bërë eksperte e sjelljes së kokainës nga Ekuadorit, pasi ka arritur të blejë të gjithë strukturat shtetërore. Rasti i Durrësit e tregon qartë se si u ble gjithë administrata që kontejneri të shkarkohej para kohe.

Një rast tjetër është se Trifoni përmes ndërhyrjeve të tij arriti të nxjerrë djalin nga qelia. Marson Murataj, u prangos më 31 dhjetor 2021, për 119 kilogramë kokainë të gjetur brenda magazinës në Vaqarr. Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar në kontejnerin e “Bana King”, autorët morën një pjesë të kokainës por nuk arritën ta transportojnë të gjithën duke lënë pas 7 arka me 119 kilogramë kokainë.

Fillimisht, më 2 janar 2022, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e la në burg pa afat Marson Muratajn, por fuqia e milionave të hedhura nga babai bos i “Bana- King”, bëri që po kjo gjykatë, më 4 shkurt 2022, ta kalonte në “Arrest shtëpie”, gjoja se nuk ka lidhje me kokainën e kapur.

Mirëpo prokuroria kërkoi rikthimin e tij në burg, mbasi disponon prova të plota, të përfshirjes së Marson Muratajt e 2 shoferëve të firmës, në trafikun e 119 kg kokainë si pritës në Portin e Durrësit, transportues, fshehës në magazinë e kalim transit në Shqipëri. Në prapaskenë pati dhe një skenar që ai të arratisje drejt Dubait, ku jeton i ati, pro skema dështoi. Tani po lobohet fort në Apel që të hiqet masa e arrestit.

Por skandali është se kjo kompani duket se vijon me trafiqet. Nga ana tjetër administratorit të saj nuk i hyn gjë në këmbë, i cili ka “futur  në xhep” gjithë strukturat e portit në Durrës. /Pamfleti

Anti-Mafia #Bana King #Kokine