Aktualitet19 Nëntor 2022, 17:41

Skandali/ Në sulmin ndaj gazetarit Doçi i përfshirë edhe një efektiv policie, largoi me motor autorin nga vendi i ngjarjes

Shkruar nga Pamfleti
Skandali/ Në sulmin ndaj gazetarit Doçi i përfshirë edhe

Sulmi fizik ndaj gazetarit Adriatik Doçi ka qenë i mirëorganizuar. Të dielën që lamë pas, ai u qëllua pabesisht pranë banesës së tij, ndërsa një ditë më parë policia arrestoi 32-vjeçarin Redon Skutera, që dyshohet se ishte autori i sulmit. Por sot efektivët e Komisariatit të Kamzës kanë zbuluar se në këtë ngjarje është përfshirë dhe një koleg i tyre.

Sipas informacioneve, është shpallur në kërkim efektivi i policisë Ermir Doda.

Ky i fundit ka shoqëruar 32-vjeçarin Redon Skutera pranë banesë së gazetarit Doçi me një motor. Pas sulmit ata janë larguar të dy së bashku po me motor. Pra duket se jemi në kufijtë e një skandali. Teksa gazetarët presin që të mbrohen nga efektivët e policisë, ata sulmohen prej tyre.

Ermir Doda dyshohet se ka marrë pjesë edhe në vëzhgimin e gazetarit, i cili është ndjekur për disa ditë me radhë. Efektivi i policisë është shpallur në kërkim për veprën penale “përkrahje të autorit të krimit”, ndërsa pritet të përjashtohet nga policia.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se Redon Skutera alias Pëllumbi, është një person me precedent penal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është arrestuar një vit më parë për plagosje me dashje kundrejt pagesës. Skutera, i cili dyshohet se përdoret nga grupet kriminale në Tiranë, është arrestuar edhe për lëndë narkotike. Sipas burimeve, 32-vjeçari nga Berati kërkohet në Holandë për trafik droge. Ndërsa, efektivi Ermir Doda dyshohet se shërben pranë një grupi kriminal në Tiranë.

Aktualitet doci polici