SPAK të mos bëhet palë me mafien e kontrollit ushqimor, që nuk po publikon në media dhe në hyrje të njësive tregtare, emrat e pronarëve, fotografitë e produkteve “vrasëse”, adresat e fabrikave apo depove të shumicës ku janë konstatuar, siç tentoi të mbante të fshehtë produktet e bulmetrave me fekale, kimikate e etiketa false që prodhon e vazhdon dhe shet “Gjirofarma” e Gjirokastrës në treg, madje nëpërmjet tenderëve dhe nëpër spitale, konvikte, qendra sociale, çerdhe e kopshte fëmijësh
Një tjetër urdhër kriminal është dhënë nga kupola mafioze e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për të lejuar, fshehur dhe mbrojtur krimin ushqimor që bëjnë prodhuesit, tregtarët e importit, depot e shumicës dhe super-marketet.
Burime konfidenciale nga AKU, kanë bërë me dije për “Pamfleti”, se drejtoresha e re, Jeta Deda, ish-këshilltare e Ramës, ka nisur detyrën me urdhrin dhënë vartësve në qendër e drejtuesve në qarqe, për të mbajtur të fshehtë çdo abuzim ushqimor që zbulojnë.
Sipas këtij urdhri, asnjë zyrtar i AKU nuk duhet të bëjë publik konstatimet gjatë kontrolleve, madje as në biseda mes kolegësh brenda sektorit, në të kundërt, drejtoresha Jeta Deda, do t’u dërgojë në celular mesazhin: “Suksese në jetë”.
Pra, do mbahet sekret, çdo produkt me përbërës kimik, me rrezatim, të mykura, me etiketa false, sidomos sallamërat me mbetje shtazore, mishra të skaduar, pula të sëmura e të fryra me shiringa.
Në listën sekrete, do jenë bulmetrat me qumësht pluhur, urinë kafshësh, niseshte, vajë palme, por dhe buka me miell kancerogjen e tagji kafshësh, vajrat ushqimorë me përbërje bërsi e vajra motorik, çokollatat, akulloret, lëngjet e pijet alkoolike që prodhohen me ujë kanalesh.
Ky urdhër kriminal i drejtoreshës së AKU, Jeta Deda, filloi zbatimin me fshehjen e krimit ushqimor që ka bërë e vazhdon të bëjë firma “Gjirofarm” në Gjirokastër, duke prodhuar dhe hedhur në treg Kos, Salcë Kosi e disa produkte të përziera me fekale, por më pas dhe me një firme mishi, së cilës iu publikua vetëm germa “D”.
Fillimisht shefat e AKU e fshehën këtë krim, duke mos njoftuar qytetarët, që firma “Gjirofarm” me adresë në Vrisera të Gjirokastrës, me pronarë Piro Karanxha e grekun Antonios Ouzas dhe administrator Nikolla Gjonin, prodhon bulmetra me fekale, kimikate e etiketa false.
Edhe pas denoncimit nga media, AKU tentoi ta fshehë duke publikuar vetëm shkronjën e parë të emrit e asnjë të dhënë, me absurditetin se dëmtohet imazhi i firmës dhe tregu i prodhimeve të saj.
Sipas mendjes së shefave të AKU, 3 mashtruesit dhe kriminelët e “Gjirofarm”, që zhvasin dhe “vrasin” konsumatorin me produkte fekalesh e kimikate, duhen mbrojtur e lejuar të vazhdojnë krimin me etiketa false si gjoja prodhime me qumësht vendi natyral.
Ligji për ushqimin, detyron Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, që nëpër çdo produkt pa cilësi, me etiketa e skadenca false dhe të rrezikshme për shëndetin; të publikojë në media dhe në hyrje të njësive tregtare, këto të dhëna: Emrin dhe fotografinë e produktit, emrin dhe adresën e prodhuesit, sasinë e ambalazhuar të hedhur në treg dhe emrat e pronarëve të firmës.
Ky informacion ndihmon qytetarët, që të mos bien viktimë e produkteve të tilla, mirëpo shefat e AKU, jo vetëm nuk e zbatojnë ligjin, por janë bërë palë ryshfeti e interesash të tjera ortakërore me ta, duke dhënë urdhër të mos bëhet publik asnjë rast krimi ushqimor.
Nëse shefave të SPAK-ut, i ka mbetur pak moral publik, duhet të veprojnë urgjent, për të hetuar dhe ndëshkuar këtë urdhër në favor të bandave kriminale ushqimore, që po “vrasin” gradualisht popullatën, mes tyre fëmijët./Pamfleti