Aktualitet17 Maj 2022, 17:32

Skeda/ Kush janë 3 gjyqtarët që kanë në dorë fatin e PD, alarmimi i Berishës dhe çfarë pritet nga beteja gjyqësore

Shkruar nga Pamfleti
Skeda/ Kush janë 3 gjyqtarët që kanë në dorë fatin

Procesi për statutin e PD do kalojë në dy faza, por që të kalohet në fazën e dytë gjithçka është në dorë të 3 gjyqtarëve.  Ata do të shqyrtojnë ankimin që ka bërë Ivi Kaso në emër të “foltores”. Nëse ata e rrëzojnë ankimin e Kasos, atëherë hapet rruga për të shqyrtuar në themel kërkesën e Alibeajt për të rrëzuar vendimin e Agron Zhukrit.

Beteja për drejtimin e Partisë Demokratike është zhvendosur tashmë në gjykatë. Edhe pse Sali Berisha po nxiton që të marrë drejtimin ditën e diel, fjalën e fundit do e thotë Gjykata e Apelit.

Sot kjo e fundit caktoi trupën gjykuese që do të shqyrtojë një kundërankimim të Komisionit të Rithemelimit ndaj Alibeajt.

Ky i fundit apeloi vendimin e Agron Zhukrit që njohu ndryshimet statutore të 11 dhjetorit. Por Komisioni i Rithemelimit përmes Ivi Kasos ka bërë një kundër ankimim dhe kërkon që të mos pranohet ankimimi. Gjykata vendosi që trupa gjykuese që do të shqyrtojë këtë kërkesë të Kasos të përbëhet nga: Elona Toro, Edlira Petri dhe Genti Shala.

Por kush janë gjyqtarët në fjalë?

Elona Toro

Nga një verifikim i thjeshtë rezulton se që të tre gjyqtarët e kanë kaluar Shkallën e Parë të vetingut. Elona Toro u konfirmua në detyrë më 17 qershor 2020, edhe pse pati disa debate mbi gjetjet për të.  Elona Toro (Stavri) e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për 16 vjet pranë Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2016, ajo u emërua gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht. Por në tetor të 2020, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi konfirmimin në detyrë të gjyqtares Elona Toro, duke e konsideruar hetimin e KPK-së të paplotë dhe vendimin e marrë si të pabazuar në “prova dhe ligj”.

“…Rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të identifikimit të burimeve të ligjshme të krijimit të të ardhurave të ligjshme, të personave të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, të ardhura që kanë shërbyer për krijimin e pasurive mbi të cilat ushtron të drejta subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të”, thuhet në ankim. KPA nuk ka ende një vendim për të.

Edlira Petri

Edlira Petri ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2007, Petri u emërua në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ndërsa në vitin 2010 u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht. Në janar 2020, Petri u zgjodh gjyqtare e medias në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Në qershor të vitit 2020 ajo doli në seancë dëgjimore para KPK dhe e kaloi me sukses vetingun. Edlira Petri është bashkëshortja e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ajo e kaloi vetingun dhe nuk ka pasur ankimim në KPA.

Genti Shala

Shala e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2006 ai është emëruar anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post të e ka mbajtur deri në vitin 2008. Në vitin 2010, Shala është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, një post që e mban edhe sot.

Më 4 gusht të vitit 2020 ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u ankimua në KPA.  Komisioneri Publik kërkoi hetimin e një denoncimi ku ngrihen dyshime se gjyqtari Genti Shala ka fshehur ortakërinë në një shoqëri ndërtuese, si dhe të një huaje të pahetuar nga KPK, pretendime që u kundërshtuan nga subjekti i rivlerësimit. KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK duke e konfirmuar atë në detyrë.

Procesi gjyqësor dhe alarmimi i Berishës

Procesi për statutin e PD do kalojë në dy faza, por që të kalohet në fazën e dytë gjithçka është në dorë të 3 gjyqtarëve më sipër.  Ata do të shqyrtojnë ankimin që ka bërë Ivi Kaso në emër të “foltores”. Nëse ata e rrëzojnë ankimin e Kasos, atëherë hapet rruga për të shqyrtuar në themel kërkesën e Alibeajt për të rrëzuar vendimin e Agron Zhukrit. Nëse ata pranojnë kërkesën e Kasos, atëherë nuk ka më proces gjyqësor dhe mbeten në fuqi ndryshimet e Statutit të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit. Pra ata kanë në dorë fatin e PD.

Ajo që vihet re është se ka një tërbim nga ana e Sali Berishës. Gjykata e Apelit reagoi sot dhe i cilësoi si ndërhyrje në drejtësi sulmet e tij, duke dhënë sinjale se vendimi i Zhukrit mund të përfundojë në kosh. Nëse ndodh kjo, atëherë Berisha del në pension. Më saktë, nëse Apeli rrëzon Kason dhe më pas shfuqizohet vendimi i Agron Zhukrit, Komisioni i Rithemelimit del i paligjshëm. Çdo vendim i marrë prej tij bie. Zgjedhjet e së dielës do të jenë nul. Më e rëndësishmja është se do mbetet në fuqi statuti i 18 dhjetorit, ku u miratua dhe një rezolutë që ndalon kandidimin e Berishë në funksione drejtuese.

Vendimin për Statutin e ka gjyqtarja Blerina Muça dhe Berisha është hedhur në sulm kundër saj. Edhe sot përmes një postimi në rrjetet sociale e sulmoi ashpër. Mbetet të shihet se si do të jetë vendimi final, por e sigurt është se Berisha i druhet një vendimi kundër tij dhe frika më e madhe e tij janë amerikanët, pasi i akuzon se po ndërhyjnë në proces. /Pamfleti/

Kryesore #statut Berisha Gjyqtare PD