Editorial 7 Shkurt 2023, 09:00

Skema e bojkotit te 14 majit: loja e fshehtë Meta-Berisha

Shkruar nga Pamfleti
Skema e bojkotit te 14 majit: loja e fshehtë Meta-Berisha

Në thelb, kjo është një taktikë e dështuar pasi njerëzit duan të jenë pjesë e ndryshimit, pra ata duan që të përfshihen në zgjedhjen e një kryebashkiaku i cili i përfaqëson, por edhe mund t’i përfshijë në administratën e tij.

Ka një plan të çuditshëm për zgjedhjet e 14 majit. Pritet të ketë një përsëritje të 30 qershorit 2019 dhe klimës që do të shoqërojë fushatën zgjedhore.

Sipas gjasave, Sali Berisha nuk do te regjistrohet si forcë politike ndërkohe që aleati i tij- Partia e Lirisë do të hyjë në zgjedhje me kandidatët e saj për këshillat bashkiakë.

Burime nga opozita bëjnë të ditur se ndoshta Tirana do të qëndrojë pezull për kandidatin e kryebashkiakut e Këlliçi mund të regjistrohet si i Partisë së Lirisë. Ndoshta deri ditën e fundit, per të mbajtur nën presion politik fushatën dhe debatin publik. Por plani është i vendosur; Sali Berisha nuk do te dalë me siglën e Partisë së Lirisë, pikërisht për të mos humbur vota nga aleanca me Ilir Metën.

Meta nga ana e tij do te marrë sa më shumë vota opozitare për këshillat bashkiakë në mënyrë që gjithsesi të mos mbetet i papërfaqësuar elektorati kundër Edi Ramës.

Nga larg, duket një mish-mash që në fund mund ta komplikojë edhe më keq situatën politike në vend, ku Berisha e Meta mendojnë se duke i dhënë Edi Ramës pushtetin në të gjitha bashkitë, do të krijojnë atunë për ta rrëzuar në zgjedhjet parlamentare.

Plani është hartuar i tillë për të lënë anash opozitën e Enkelejd Alibeajt, por që në shumicën e vendit, degët e PD do të detyrohen të mos marrin pjesë në 14 maj.

Konteksti i fushatës pritet të jetë i ashpër si 2019, ku protestat e shpeshta do të mobilizojnë votat e opozitarëve. Por në thelb, kjo është një taktikë e dështuar pasi njerëzit duan të jenë pjesë e ndryshimit, pra ata duan që të përfshihen në zgjedhjen e një kryebashkiaku i cili i përfaqëson, por edhe mund t’i përfshijë në administratën e tij.
Ilir Meta thuajse e ka marrë OK e Berishës, se nëse Foltorja nuk hyn në zgjedhje, elektoratin e tij do ta përfaqësojë Partia e Lirisë me kandidatët për këshillat bashkiakë.

Logjika politike e Berishës është që humbjen të mos ja faturojë vetes por Enkelejd Alibeajt, ndërkohë duke mbajtur një prezencë të Ilir Metës në këshillat bashkiakë.

Po sa ky plan kaq i komplikuar e budalla, mund të kuptohet nga njerëzit që kanë vokacion opozitar?

Askush nuk mendon dhe nuk merr frymë nga gurmazi i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Edi Rama që e di këtë plan prej fillimit, ka marrë masa ta mbushë këtë vakum, duke synuar të marrë dhe Shkodrën. Deri më tani, opozita duket se ka vendosur te luajë një shah absurd që duket më shumë si damë, ku ta vendosë Ramën para faktit për të lënë pushtet. Pra t’i japë opozitës ca bashki meqë ka shumë. Por faktet po tregojnë se kryeministri nuk ngopet aspak nga ky pushtet i pakufizuar, madje është gati ta administrojë duke krijuar një “opozitë” sipas gustove të tij. Tip gjergjluce apo oligarkësh të tjerë.

Në fund thotë që nuk i ka marrë të gjitha pushtetet e mund, siç ka nisur të negociojë- me një entitet te ri “opozitar” që po e emëron vetë. E gjitha kjo po ndodh nga kjo strategji pa kokë e të ashtuquajturës opozitë të Berishës e Metës.

Se në fund, siç Edi Rama e ka pikasur nga sondazhet, njerëzit mund të votojnë edhe një “opozitë” që të jetë edhe më e butë mjafton se nuk është foltorja.

Shembulli? E ashtuquajtura opozitë parlamentare e Hajdarit, e cila pasi u hodh si limon i shtrydhur nga Rama, u afruan te doktori. Kush garanton se e njëjta skemë nuk mund të përdoret më 14 maj? Ku ndryshe nga 2019, Rama ka edhe Presidentin në xhep? /Pamfleti

Editorial #Skema e bojkotit te 14 majit: loja e fshehtë Meta-Berisha