Skandali thellohet më tej se agjenti i FBI rezulton me biznese në Tiranë. Ai është administrator i një studioje ligjore të quajtur “Law Office and Investigation”
Zbardhen të dhënat mbi ish-zyrtarin e FBI të arrestuar për lidhje me rusët dhe marrje ryshfeti. Në pranga ra Charles McGonigal, i cili njihet dhe për miqësi më kryeministrin Edi Rama. Madje ky i fundit del në dosjen e prokurorisë, pasi ish-kreu i kundërzbulimit në FBI ka udhëtuar në vendin tonë dhe ka marrë para nga një ish-spiun shqiptar. Por kush është ai dhe cilat janë lidhjet me rusët?
Kush është Charles McGonigal?
Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal iu bashkua FBI-së në vitin 1996 dhe u ngjit shpejt në grada.
Në vitin 2016, drejtori i atëhershëm i FBI-së, James Comey, emëroi McGonigal si kreun e Divizionit të Kundërzbulimit të agjencisë, me qendër jashtë zyrës së qytetit të Nju Jorkut.
Por në një kthesë tronditëse të ngjarjeve, McGonigal u arrestua me akuzat se ai ka marrë ryshfete nga oligarku rus, Oleg Deripaska, duke shkelur sanksionet e SHBA-së kundër zyrtarëve të lidhur me Kremlinin.
Aktakuza e paraqitur nga Gjykata e Qarkut të SHBA për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, pretendon se McGonigal dhe një ish-diplomat dhe përkthyes rus, ranë dakord dhe hetuan një oligark rival rus të Deripaska-s në këmbim të pagesave të fshehura nga Deripaska, në kundërshtim me sanksionet që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj Deripaska në 2018.
Pas largimit nga FBI në 2019, dokumenti pretendon se McGonigal filloi të bashkëpunonte ngushtë me Deripaska, në një përpjekje për të hequr sanksionet kundër biznesmenit rus.
Para nisjes së karrierës së tij në FBI, McGonigal ndoqi Universitetin Johns Hopkins, ku studioi Administrim Biznesi dhe vazhdoi të punojë në industrinë bankare.
Në mesin e viteve ’90, McGonigal filloi karrierën e tij prej dy dekadash në FBI dhe ishte i përfshirë në disa nga çështjet e profilit më të lartë të trajtuara nga agjencia gjatë mandatit të tij.
Për shembull, në vitin 2010, McGonigal shërbeu si kreu i Task Forcës ËikiLeaks të FBI-së, duke ndërtuar çështjen që përfundimisht çoi në arrestimin e sinjalizuesit dhe aktivistes Chelsea Manning.
Në vitin 2014, McGonigal u promovua si ndihmës agjent special i ngarkuar me programet Kibernetike, Kundërzbulimit, Kundërpërhapjes dhe Spiunazhit të Zyrës së Fushës së Baltimores.
Kush është Oleg Deripaska?
Deripaska është një miliarder rus që ka krijuar, zotëruar dhe menaxhuar kompani të ndryshme në sektorët e energjisë dhe prodhimit industrial të vendit. Para 2018, Deripaska ishte lider i kompanisë së dytë më të madhe të aluminit në botë, United Company Rusal, dhe shërbeu si president i kompanisë ruse të energjisë En+ Group.
Largimi i tij nga këto kompani përkoi me sanksionet e SHBA-së kundër biznesmenit si përgjigje ndaj pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014.
Të dyja kompanitë e mësipërme u sanksionuan në vitin 2018, dhe ndërsa ato u hoqën në 2019, ato që synonin Deripaskën mbetën ende aktive.
Kur filloi bashkëpunimin Deripaska dhe McGonigal?
Kur SHBA filloi të vendoste sanksione ndaj Deripaskës, McGonigal ishte i lidhur me një ish-diplomat sovjetik dhe oficer i inteligjencës, i cili punoi dhe raportoi te Deripaska dhe shërbeu si oficer i një korporate që, në vitin 2018, ishte në pronësi të Deripaska dhe ishte subjekt i sanksioneve.
Individi, i përmendur në aktakuzë si Agjenti-1, e pyeti McGonigal nëse mund ta ndihmonte vajzën e tij të merrte një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. McGonigal informoi eprorët e tij për kërkesën dhe praktika iu dha si një mjet për agjencinë për të “rekrutuar” Agjentin-1.
Në vitin 2019, pasi McGonigal doli në pension nga FBI, ai u takua me Deripaskën në shtëpitë e tij në Londër dhe Vjenë. Në vitet që pasuan, prokurorët pretendojnë se McGonigal komplotoi për të shkelur sanksionet e SHBA-së dhe se ai “me dashje mori disa fonde, mallra dhe shërbime. Pranimi i kontributeve të tilla ishte i paligjshëm sepse oligarku rus ishte renditur si një “person i caktuar posaçërisht” si pjesë e paketës së sanksioneve të SHBA.
Ish-agjenti me biznes në Tiranë
Por skandali thellohet më tej se agjenti i FBI rezulton me biznese në Tiranë. Ai është administrator i një studioje ligjore të quajtur “Law Office and Investigation”, aktualisht me aktivitet të pezulluar dhe ka 25% të aksioneve. Aksionerë në këtë kompani: Shefqet Dizdari dhe Agron Neza. “Law Office and Investigation” është një kompani e regjistruar në vitin 2008 nga Shefqet Dizdari, një avokat shumë i njohur nga Tropoja, i cili në 2019 ai i ka shitur aksione ish zyrtarit të lartë të FBI Mc Gonigal, Agron Nezës dhe një shtetasi tjetër të huaj, me emrin Mark Thomas Rossini.
Sot amerikani McGonigal, në një aktakuzë të veçantë, me nëntë pika në Uashington, akuzohet se ka marrë të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit. Pra amerikani, me forcën që i jepte pozicioni të ndërhynte që agjenti shqiptar, i cili ishte edhe shtetas amerikan, të përfitonte dhe për këtë është shpërblyer me shifrën 225 mijë dollarë. McGonigal mori tre pagesa të veçanta në para nga biznesmeni në vitin 2017, pasi të dy udhëtuan në Shqipëri, ku McGonigal u takua me kryeministrin e vendit më 9 shtator 2017, dhe i kërkoi atij “të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave të shpimit të fushës nafte në Shqipëri për kompanitë ruse të frontit”.
Në vitin 2018 Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG. Më 31 mars Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.
Të dhënat dhe dokumentet tregojnë se Transoil Group në Shqipëri administrohej pikërisht nga Shefqet Dizdari, avokati i njohur i cili ne 2019 i ka shitur studion ligjore amerikanit Charles McGonigal dhe shqiptaro-amerikan Agron Neza. Kjo kompani kishte lidhje biznesi me gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom, kompani që zotërohet në shumicën e aksioni nga shteti rus.
Charles McGonigal, agjent amerikan dhe zyrtar i Lartë i FBI, dyshohte qe merr një ryshfet nga Agron Neza, shqiptaro-amerikan dhe dyshohet ish agjent shqiptar i inteligjencës, për të ndikuar që një koncesion i majmë i hidrokarbureve t’i jepej një kompanie të administruar nga Shefqet Dizdari, i cili më pas bëhet edhe ortak biznesi me personazhet e mësipërm. /Pamfleti