Politike12 Gusht 2018, 17:39

Skenari mafioz i Metës dhe Dakos, Vangjushi ‘zbukuron’ rrugët e Durrësit me mermerin e Malit të Tomorrit. Çfarë fshihe

Shkruar nga Pamfleti
Skenari mafioz i Metës dhe Dakos, Vangjushi ‘zbukuron’

Skenari mafioz i Metës dhe Dakos, Vangjushi ‘zbukuron’ rrugët e Durrësit me mermerin e Malit të Tomorrit. Çfarë fshihet pas kësaj?

Ilir Meta nuk njeh as parti, as kundërshtar politik, as kriminel, as trafikant droge, por vetëm njeh paratë.

Dhe kur bëhet fjalë për të fituar lekë, Ilir Meta, ish kryetar i LSI tani President, i shumëzon me zero të gjitha ndasitë politike, protokollare, zyrtare, shoqërore apo profesionale.

Rasti më konkret është sjellja e familjes Meta-Kryemadhi me kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, apo siç ka dëshirë ta cilësojë opozita por dhe qytetarët, “mafia e betonit”.

Nëse dëgjon deklaratat publike të Monika Kryemadhit, aktualisht kryetare që ka nën administrim e LSI, gjithkush mund të mendojë se Vangjush Dako është armiku kryesor i saj, i Metës, i LSI dhe i tërë opozitës shqiptare.

Nëse e akuzon Gjushin si armik i qytetarëve të Durrësit, askush s’bën gabim, me atë që i ka bërë Dako qytetit bregdetar që po e qeveris në tre mandate, është shumë pak një akuzë e tillë.

Monika vetëm pak kohë më parë ka lëshuar një “silurë” të fortë kundër kreut të bashkisë së Durrësit, njëherësh dhe anëtar i kryesisë së PS Vangjush Dako se ka abuzuar me tenderat, ku në një vit ka tenderuar 32 milionë euro në favor të grupeve kriminale.

“Shkoni në Bashkinë e Durrësit dhe do të shikoni se si vetëm për këtë vit, 32 milionë euro tenderime i janë dhënë 5 grupeve kriminale në Durrës. Z.Xhafaj denoncoi tre, por nuk janë tre, janë shtatë dhe janë më shumë”, ka akuzuar Kryemadhi.

Menjëherë ka qënë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ai që ka reaguar pas akuzave të kryetares së LSI. Përmes një statusi në rrjetin social, Dako sqaroi se Bashkia për një 18 muaj ka dhënë 9 milionë euro tendera. Njëherësh Gjushi i bëri thirrje Kryemadhit që të gjejë kriminelët që kanë lidhje me të.

“Për pretendimin e znj. Kryemadhi se këto tendera i kanë fituar 5 kriminelë, unë i bëj thirrje znj. Kryemadhi e gjithkujt tjetër që të gjejnë kush janë kriminelët në këtë listë të fituesve të këtyre tenderave”, reagon Dako, duke publikuar emrat e firmave fituese të këtyre tenderave.

Një debat me të vërtetë i fortë mes Monikës së LSI dhe Dakos së PS, ku herë herë është involvuar dhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Dhe teksa sheh dhe dëgjon këto shkëmbime akuzash dhe replikash, gjithkush mund të mendojë se nëse do të “kryqëzoheshin” ndonjëherë rrugët mes Monikës dhe Gjushit, atëherë më e pakta do të ishte rrahja mes tyre, dhe më e shumta do të “luante” pisqolla.

Por e vërteta është krejt ndryshe, sa mund të themi se të gjitha këto përplasje dhe debate janë të gjitha të stisura për të fshehur diçka më të madhe që është në mes.

Dhe në mes të Ilir Metës dhe Vangjush Dakos ka një element shumë të rëndësishëm “pajtues” që është biznesi.

Dako ka qënë biznesmen dhe u fut në politikë duke u bërë kryerbashkiak, pavarësisht se kjo nuk e justifikon në maskarallëkun që ka bërë me qytetin e Durrësit duke e katandisur atë në qytetin më të ndotur, më të rrëmujshmin dhe më të pajetueshmin në vend. Aq sa dhe turisët “patriotikë” nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare po e braktisin për shkak të këtyre paudhësive të Vangjush Dakos dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ndërsa Ilir Meta dhe Monika tërë jetën janë marrë me politikë, pavarësisht se kanë bërë biznes me politikën, duke futur në dorë të gjitha pasuritë e shtetit shqiptar përmes abuzimit me pushtetin.

Kështu, në përgatitje për një mandat të katërt nëse e Rama e kandidon për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako po “zbukuron” qytetin bregdetar me dekoracione mermeri. Madje duke shtruar dhe disa rrugë në qendër, në kuadër të nismës së Rilindjes Urbane të Ramës por dhe sheshi po dekorohet dhe do të dekorohen me mermerin e marrë nga Mali i Tomorrit.

Dhe furnitori kryesor, në mos i vetmi, është Ilir Meta me kompanitë e tij të nxjerrjes dhe tregtimit të mermerit në Malin e Tomorrit.

Pra Ilir Meta bën biznes me Vangjush Dakor për dekorimin e qytetit të Durrësit me mermerin që kompanitë e ish kreut të LSI nxjerrin në Malin e Tomorrit. Duke treguar qartë se përtej betejës politike mes Monikës e Gjushit, qëndron biznesi mes tyre, marreveshje të arritura nga Ilir Meta më parë me kreun e bashkisë së Durrësit. Kuptohet dhe me “bekimin” e kryeministrit Rama.

Por tashmë që janë bllokuar nga Rama kompanitë e guroreve dhe mermerit në Malin e Tomorrit, pasi e shpalli “Park Turistik”, qytetarët durrsakë “luten” që Gjushi ta ketë marrë sasinë e duhur të mermerit nga Meta, që të mos i mbetet puna përgjysmë apo të marrë mermer nga jashtë./Pamfleti/

Politike