Sport15 Maj 2018, 10:42

Skënderbeu gjen një mënyrë për të shtuar të ardhurat, 300 lekë bileta bashkë me fanellën speciale

Shkruar nga Pamfleti
Skënderbeu gjen një mënyrë për të shtuar të

Skënderbeu gjen një mënyrë për të shtuar të ardhurat, 300 lekë bileta bashkë me fanellën speciale

Skënderbeu është shndërruar në një klub model administrimi në Shqipëri, pasi nxjerr mjaft të ardhura dhe ka dominuar prej tetë vjetësh futbollin në Shqipëri. Së fundmi, klubi ka gjetur një ide mjaft interesante për të rritur të ardhurat, por edhe për të mbushur stadiumin në ndeshjen e fundit të kampionatit kur do të bëhet festa e titullit kampion.

Në fakt, një nga aspektet për t’u vlerësuar më shumë nga klubi korçar është se po mundohet që të zhvillojë një fushë thuajse të panjohur në Shqipëri, atë të marketingut sportiv. Iniciativa e fundit e korçarëve është ajo që ka lidhje me festën e titullit, ku synon të bëjë marketing jo vetëm për të rritur të ardhurat e klubit, por edhe për rritjen e imazhit të tij.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, klubi ka bërë të ditur se së shpejti do të dalin në shitje fanellat e titullit të 8 kampion në historinë e klubit. Skënderbeu u ka vënë një çmim simbolik për të gjithë ata që do të blejnë biletat e ndeshjes së 23 majit ndaj Vllaznisë, ditën kur do të organizohet edhe festa e titullit në Korçë dhe ku do t’u dorëzohet trofeu i kampionit. Ky është padyshim një shembull për t’u ndjekur nga klubet e tjera, ku dyqani i klubit thuajse nuk ekziston dhe iniciativa të tilla gjithashtu.

Deklarata e klubit

“Dekor special për ceremoninë e dorëzimit të titullit të 8-të kampion në histori. Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ ka dizenjuar bluzën zyrtare të festës e cila do të jetë gati brënda disa ditësh dhe do të dalë në shitje kundrejt një çmimi simbolik. Ceremonia e dorëzimit të titullit do të zhvillohet në 23 maj, datë në të cilën do luhet dhe takimi i fundit i sezonit ndaj Vllaznisë.

Bluza #Champions do të dalë në shitje tek pikat e shitjes së biletave dhe blerja do të jetë opsionale. Kundrejt çmimit simbolik prej 300 lekë, tifozët mund të pajisen me bluzën #champi8ns dhe biletën e ndeshjes. Për të gjithë ata që nuk janë të interesuar për bluzën e festës, hyrja në tribunat A, B, C, D, dhe E do të kushtojë 100 lekë. Për detaje të mëtejshme do të ketë një njoftim të dytë nga klubi. Le ta kthejmë në festë të madhështore! 23 may, save the date!”, shkruhet në postimin e Skënderbeut në faqen e tij në facebook. /Pamfleti Sport

Sport