Aktualitet13 Qershor 2022, 14:05

“S'mban më ujë pilafi!”, protestë të mërkurën para Kryeministrisë për rritjen e çmimeve

Shkruar nga Pamfleti

Me moton ‘S’mban më ujë pilafi’, ditën e mërkurë është planifikuar një protestë kundër rritjes së çmimeve para kryeministrisë.

Posteri i protestës është ndarë në rrjetet sociale dhe njofton se qytetarët do të mblidhen në orën 18:00, përballë kryeministrisë.

Qytetarët do të mblidhen fillimisht në sheshin ‘Skëndërbej’ e më pas do të marshojnë drejt kryeministrisë.

POSTIMI:

Rritja e çmimeve s’ka të ndalur. Nafta ka arritur 258 lekë/litër, ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e ushqimeve dhe çdo produkti të domosdoshëm. Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur. Qeveria po dëshmon dita-ditës jo vetëm kapjen nga oligarkët, por edhe inkompetencë kriminale në administrimin e krizës. Oligarkët përfitojnë miliona euro subvencione, kurse më të varfrit marrin thërrime të cilave po u skadon afati. Ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë nuk përfiton asnjë masë lehtësuese, bordet qeveritare janë shndërruar në kartele ku përligjet rritja skandaloze e çmimeve. Në këto kushte, të durosh është luks që s’mund t’ia lejojmë vetes. Askush nuk mund t’i varë shpresat te një qeveri hajdute, e kompromentuar dhe e paaftë. Populli duhet të marrë në dorë fatet e veta. Të mërkurën, ora 18:00, nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Të gjithë në protestë!

Protesta e mëparshme e lajmëruar kundër rritjes së çmimeve ishte ajo e fikjes së mjetit në orën 12:00, mirëpo dështoi pasi asnjë nuk mori pjesë. Çmimet e fundit të vendosura nga Bordi i Transparencës kanë revoltuar qytetarët. Çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë 258 lekë/litri, i benzinës do të jetë 243 lekë/litri i gazit do të jetë 86 lekë/litri.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet #Protestë #Rritja e çmimeve