Mbledhja e Komisionit Hetimor të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit është shoqrëuar me debate mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës. Kuvendi i ka ndërprerë sinjalin e transmetimit Komisionit Hetimor, pas bojkotimit të socialistëve nga mbledhja.
Drejtoresha e shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, Lefterie Luzi u fut në mbledhje duke i kërkuar Alibeaj ta ndërpriste pasi nuk plotësonte kuorumin pas largimit të PS.
Nga ana tjetër, Alibeaj tha se çdo ndërprerje e sinjalit është e paligjshme duke kërcënuar se do të kallëzojë penalisht Luzin dhe ata që ‘kanë dhënë urdhrin e paligjshëm’.
“Mbledhja ka filluar, e deklaron kryetari, keni detyrë ta transmetoni deri në fund kur ta deklarojë kryetari. Nëse merrni urdhra të paligjshëm për të ndërprerë sinjalin televiziv, do bëj deri kallëzim penal. Mos u bëni pengesë as ju administrata për pengimin e mbledhjes. Kush je ti që vjen këtu? Do të ketë kallëzim për të gjithë, nga i pari deri në fund. Zonjë po shkel ligjin, do të të çoj në kallëzim penal. Garda, zonja nuk është deputet , nxireni nga salla”, tha Alibeaj.
Megjithatë kjo nuk u morë për bazë nga Kuvendi, duke ndërprerë sinjalin.