
Deputetët dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë reaguar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla shkruan: “Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur! U prehsh ne paqe President Nishani!”.
Një reagim pati edhe nga deputeti Petro Koçi, i cili vlerësoi figurën e Nishanit.
“Me keqardhje mësova ndarjen nga jeta te Bujar Nishanit, ish President i Republikës. Kemi bashkëpunuar në vitet 2005-2009 në drejtim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend. Është rasti te kujtoj një vizitë të asaj kohe bashke me kolegun Nishani në SHBA, kur zhvilluam takime në Komisionet e Sigurise në Senat dhe Kongres, në Pentagon, në CIA, në Departamentin e Shtetit etj. Ishte politikan serioz. Një figure e rëndësishme në PD”, tha ai.
Po ashtu reagoi edhe zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili shkruan: “Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të ish-Presidentit Bujar Nishani, për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta”.