Publikimi i fundit i sondazhit të Pisos për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, i publikuar në Rubikonin e Adriatik Kelmendit, në Klan Kosova, dha në fakt një panoramë të pritshme. Atë që Lista e Vetëvendosjes do të marrë shumicën absolute të votave të shqiptarëve dhe atë të Kuvendit të Kosovës.
Të gjithë shifrat e këtij sondazhi që po jepet çdo javë flasin për një trend tashmë të palëvizshëm. Grupimi i Albin Kurtit po shkon logjikshëm drejt marrjes së shumicës plebishitare në zgjedhje, kontrollin e Kuvendit dhe një qeverisje të plotë me vullnet të qytetarëve.
Të gjitha këto rezultate që u komentuan me hollësi mbrëmë janë realisht një zhvillim që tashmë nuk ka kthim mbrapa, por kleçka e tyre është pikërisht vendimi i KQZ-së së Valdete Dakës. E cila ka marrë përsipër që të bllokojë listat elektorale të Vetëvendosjes dhe partive të tjera.
Por çfarë synon vendimi i KQZ-së në lidhje me Vetëvendosjen?
Synon një perceptim diabolik që të thotë se Albin Kurti nuk mund të bëhet deputet e madje edhe më larg sa s’bëhet kryeministër.
Një akt që normalisht është i pamundshëm, pasi askujt sipas Kushtetutës nuk mund t’i heqet e drejta e zgjedhjes dhe e të zgjedhurit. Përveç kur kjo është vendosur nga një gjykatë. Pra kur një vendim gjykate jep si dënim heqjen e të drejtës për tu zgjedhur. Ky lloj vendimi në fakt ka qenë shumë i parhapur në sistemet njëpartiake, kurse në botë nuk se përdoret ligjërisht. Edhe kur gjykatat kanë vendosur arrestime apo dënime të individëve që kanë qenë zyrtare në Europë dhe SHBA, të dënuarit në fjalë janë penalizuar nga jehona e vendimit në popull dhe jo nga vendimi i gjykatës. Nuk ndodh në një vend që kushtetushmërisht përdor të drejtën universale të votës, të ndalë të drejtën për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. E në këtë rast nuk ka asnjë logjikë, e asnjë gjykatë në Kosovë, që natyrisht do ta shqyrtojë nëse vjen rasti për të ndaluar të drejtën e Albin Kurtit për t’u bërë deputet apo kryeministër.
Rasti Et’hem Arifit është krejt i qartë; ishte i dënuar në momentin e kandidimit, ndaj nuk mund të ishte ai shtylla që mund të mbante qeverinë e Avdullah Hotit. E në rastin Kurti, e gjitha kjo fabul është totalisht false dhe e rrëzueshme nga çdo trup gjykues. Por rimarja e temës nga KQZ synon pikërisht të ndalë sadopak këtë ortek që po merr vullneti politik referendar në Kosovë. Të ndalojë ç’është e mundur që lista e Vetëvendosjes të arrijë 50%. Kjo natyrisht nuk mund të ndodhë nëse është pjesë e vullnetit, por synon që gjithsesi të dekurajojë atë që mundet në shoqërinë kosovare që tashmë duket si vullnet i pakthyshëm.
Natyrisht që edhe nëse ndalojnë Albin Kurtin, Vetëvendosja do të vijë në pushtet me referendum, e kushdo mund të bëhet kryeministër, sido që elita e vjetër të krijojë pengesa. Por fakt është se nuk mundet KQZ ta bllokojë një vullnet. Albin Kurti nuk ka asnjë pengesë ligjore e gjyqësore, pasi ai është zgjedhur deputet edhe në legjislaturat e tjera, edhe pse ka qenë i arrestuar e i dënuar për protestat.
Vendimi i Kushtetueses flet për vendim penal të posaçëm, e kjo natyrisht që ka një rilevancë të qartë: kush dënohet për abuzim me detyrën nuk mund të zgjidhet. Kjo çështje thjesht mund të zgjidhet, edhe pse kuptohet, qoftë nga Kushtetuesja, Komisioni Ankesave apo Gjykata Supreme, e cila ka të drejtën të analizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por pengesa që Valdete Daka po i bën vullnetit popullor, thjesht tregon se institucioni i krijuar nga klika e vjetër po bën shërbimin e fundit ndaj saj. Më mirë kështu. Pasi si edhe të gjithë institucionet e tjerë të Kosovës jep mesazhin se edhe KQZ kërkon të freskohet nga gjenerata e re e shoqërisë kosovare… /Pamfleti