Aktualitet21 Janar 2019, 08:24

Sot 8 vjet nga ngjarja e tmerrshme e ’21 Janarit’, ç’ndodhi në bulevard, si i vrau pushteti i Sali Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Sot 8 vjet nga ngjarja e tmemrrshme e '21 Janarit', ç'ndodhi në bulevard, si i vrau pushteti i Sali Berishës 4 njerëz të pafajshëm

Tetë vite më parë, më 21 janar 2011, vendi do të tronditej nga një ndër ngjarjet më të rënda në historinë e demokracisë së Shqipërisë, ku për shkak të ‘luftës’ mes pushteteve, humb jetën katër njerëz të pafajshëm në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Protesta masive dhe të përgjakashme kundër qeverisë së asaj kohe, të drejtuar nga Sali Berisha, krijuan një tmerr dhe panik, që nuk do të harrohet kurrë. Turmat e irrituara thërrisnin për drejtësi. Ato shoqëroheshin me britma, vrapime me panik dhe kthime sërish para Kryeministrisë. Skenat transmetoheshin direkt në të gjitha televizionet, por tmerri dhe paniku ishte më i madh tek ata që ishin në shesh, tek demonstruesit.

Dhe më pas…, në kohën kur njerëzit po largoheshin e mendohej se gjithçka mbaroi, të shtënat e urdhëruara nga pushteti i Sali Berishës tmerruan demonstruesit. Pastaj, një njeri u shtri përtokë, pas tij një i dytë, ndërsa dikush nga mesi i turmës thirri me zë të lartë: “Na vranë”. Trupi i një 40-vjeçari u mor në krahë nga disa burra, ndërkohë që në gjoks i dukej një vrimë plumbi, pasi këmishën e kishte gjysmë të zbërthyer. “Po na qëllojnë me plumba të vërtetë”, tha një tjetër. E ashtu ndodhi, atë ditë u vranë tre demonstrues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Pak ditë më vonë ndërroi jetë në spital edhe Aleks Nika, i cili kishte marrë një plumb në kokë. U filmuan edhe nga kamerat e televizioneve. Bashkë me ta u plagosën dhjetëra të tjerë, por disa patën frikë të deklarojnë veten nga tmerri që përjetuan pas protestës nga dhuna policore.

Gjithçka nisi rreth orës 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para godinës së Kryeministrisë, pasi policia kishe marrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej. Turma nisi me thirrje kundër Kryeministrit, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi përplasja me forcat e policisë, të vendosura në mbrojtje të Kryeministrisë në pjesën e jashtme të saj. Rreth orës 14:30, duke vënë re përshkallëzimin e demonstratës, efektivët e Gardës së Republikës, të cilët mbronin ambientet e brendshme të Kryeministrisë janë shtuar në oborr.

Demonstruesit, të irrituar nga ky veprim, kanë hedhur drejt efektivave të Gardës sende të forta si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, si dhe u është vënë zjarri pemëve që ndodheshin në pjesën përpara Kryeministrisë. Gjatë kësaj kohe, nga ana e efektivëve të Gardës, me mjetet që ata dispononin, është hedhur një lloj gazi që vështirësonte frymëmarrjen dhe kordoni i forcave policore jashtë perimetrit rrethues të objektit është çorientuar, duke braktisur vendet e shërbimit, ndërkohë që kishin marrë plagë për shkak të përplasjes me demonstruesit. Në këtë kohë, protestuesit kanë hipur në kangjellat e murit rrethues të Kryeministrisë, por pa tentuar që të futeshin brenda saj.

Sulmet ndaj Gardës


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI
Me ndërhyrjen e disa personave civilë, pjesëmarrës në demonstratë, si Zyhdi Dajti, nga thirrjet me megafon të gardës dhe thirrjet me zë të lartë nga efektivët në terren, të cilët u kërkonin largimin nga objekti demonstruesve dhe pas kalimit të automjeteve shihedhëse, një pjesë e demonstruesve janë larguar nga sheshi para Kryeministrisë për të kaluar nga ana e Piramidës. Një pjesë e demonstruesve, pasi kanë hipur edhe në lartësi të Piramidës, kanë filluar të godasin me pllaka guri, pllaka trotuari, gurë e molotov, jo vetëm efektivët e Gardës, që ndodheshin në sektorin verior, por edhe Kryeministrinë, pasi aty nuk kishte më efektivë policie, por gjithsesi ajo ishte e mbyllur dhe e padëmtuar.

 

Nga sulmet masive me mjete të forta, shumë efektivë të Gardës me shërbim, kanë pësuar dëmtime fizike, të parrezikshme për jetën dhe pas një mjekimi ambulator në pjesën më të madhe, ata janë kthyer përsëri duke rimarrë pozicionet sipas planit të masave. Goditjet me mjete të forta ndaj efektivëve të Gardës, kanë vijuar nga dy krahët, si nga bulevardi ashtu edhe nga Piramida, ku intensiteti i goditjeve ka ardhur duke u shtuar.

Në ato momente, një pjesë e demonstruesve, duke përfituar nga fakti që forcat policore ishin larguar nga vendi i tyre i shërbimit, kanë vepruar me forcë për të hapur portën e Kryeministrisë dhe pasi porta u hap duke u shqyer dryni i zinxhirit lidhës, një grup prej tyre kanë tentuar të futen brenda në objekt.

Të shtënat në ajër

Në këtë moment, Garda ka bërë thirrje për të shpërndarë demonstruesit, por turma e protestuesve nuk është larguar. Ata kanë vijuar të qëllonin me mjete e sende të forta ndaj tyre. Fillimisht është hapur zjarr në ajër me fishekë manovre, ndërsa pak minuta më vonë, Garda nisi të qëllojë me fishekë luftarakë, po në ajër. Në këtë moment, grupi i njësisë speciale, i pajisur me mjetet teknike të posaçme, është afruar nga mesi i rrugës për tek porta e Kryeministrisë, duke ndërhyrë forcërisht me shkopinj gome e mburoja, e duke arritur që të nxjerrin jashtë portës grupin e personave, që kishin mundur të futeshin pak metra brenda rrethimit të Kryeministrisë. Megjithatë, Garda nuk e ka mbyllur portën.

Vrasjet në bulevard

Për shkak të goditjeve që kishin pësuar nga sulmi i protestuesve, Garda kishte humbur pozicionin e vet, duke krijuar hapësira mes efektivëve dhe protestuesve, të cilët ndodheshin jashtë rrethimit të Kryeministrisë. Ora shënonte 16:10. Në atë moment, të shtëna armësh janë dëgjuar nga brenda territorit të Kryeministrisë, ku më vonë, sipas prokurorisë, u vërtetua se qëlluan drejtpërdrejt dhe njëkohësisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Ky veprim është pasuar edhe nga qitje të tjera, të realizuara nga efektivët e grupit të zjarrit në Gardën e Republikës. Si pasojë e predhave të qitura nga armët e zjarrit humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Veç tyre u plagosën edhe shtatë persona, mes të cilëve, gazetari Fatos Mahmutaj dhe Aleks Nika. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Aktualitet 21 Janari vrasjet ne bulevard