Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe OJQ Labyrinthi, organizon tryezë te rrumbullakët për Ditën Botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave. (Salla e IKSHPK-së, Prishtinë, ora 10:00-12:00)
Kujtojmë se Kosova s’ka Institut për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë, për çka po konsiderohet e domosdoshme. Përdoruesit e drogave trajtohen në Psikiatri. Ky repart ka vetëm gjashtë shtretër, ku trajtohen përdoruesit e substancave narkotike. Personat me sëmundje të varësisë trajtohen në vendin e njëjtë me ata që kanë çrregullime mendore.
Gjatë këtij viti janë regjistruar 60 pranime, ku trajtimi i tyre ka zgjatur më shumë se 800 ditë. Për shkak të numrit të vogël të kapaciteteve, shumë herë pacientët trajtohen edhe në repartet ku nuk janë të paraparë për ata.
Drejtori i Klinikës Psikiatrike, Faton Kutllovci, tregon se ka rritje të numrit të rasteve të përdoruesve të drogave që kërkojnë trajtim.
Numër i madh i kërkesave për trajtim të detyrueshëm vijnë nga gjykatat. Personat e pranuar qëndrojnë deri në dhjetë ditë për detoksifikim, derisa pacientët tjerë, sipas Kutllovcit trajtohen në repartet tjera.
Ai tha se ndërtimi i Institutit për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë duhet të jetë strategji kombëtare.
Nevojën për ndërtimin e këtij instituti, e konsideron të domosdoshme edhe Safet Blakaj, drejtor i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth” në Prishtina.
Pasi që, Qendra që ai udhëheq nuk ofron shërbim 24-orësh, por shërbime mjekësore, vizita psikiatrike e përkrahje psiko-sociale. Gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë regjistruar rritje të numrit të përdoruesve të drogave thotë ai.
Ai thotë se deri tani në këtë qendër janë trajtuar rreth 2500 persona që kanë qenë përdorues të lëndëve narkotike. Siç tregon ai, nga 172 që janë duke u trajtuar, 130 prej tyre janë duke u trajtuar nga përdorimi i heroinës, që e bën atë një ndër substancat më të përdorura nga qytetarët dhe pas saj, radhiten kanabisi dhe kokaina.
Ai shprehet se mosha mesatare kur të rinjtë takohen me lëndë narkotike është mosha 16-vjeçare, kurse mosha mesatare kur fillojnë të rehabilitohen është 29-vjeçare
Lulkuqe Gashi nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në Institucionin e Avokatit të Popullit, thotë se gjatë vizitave monitoruese kanë vërejtur se 50 për qind të rasteve që trajtohen në Psikiatri janë përdorues të substancave narkotike.
“Nuk kemi institucion të veçantë për trajtimin e personave që janë përdorues të substancave narkotike në Kosovë. Kjo i mungon Kosovës, realisht shpresoj që edhe në Ligjin për Shëndetin Mendor do të përcaktohet kjo pikë dhe të trajtohet kjo kategori e ndjeshme”, deklaron Gashi.
Në kuadër të ligjit të ri për shëndetin mendor, është paraparë edhe themelimi i një Instituti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë. Tashmë është formuar grupi punues për hartimin e koncept dokumentit për shëndetin mendor
Që nga 7 dhjetori i vitit 1987, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara feston 26 qershorin si Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimin e Paligjshëm. Kjo ditë ndërkombëtare shënon një përpjekje tjetër për të arritur qëllimin që ta bëjë shoqërinë të lirë nga abuzimi me drogën.