Kosova16 Shtator 2022, 08:55

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti

Para Gjykatës Themelore në Mitrovicë të premten do të protestohet nga ora 12:00 për rastin e 19-vjeçares Betina Ymerit, e cila për shkak të kërcënimeve nga i fejuari i saj, Leotrim Shala, ka kryer vetëvrasje.

Kjo protestë është organizuar nga prindërit e të ndjerës, për t’u bërë thirrje institucioneve përkatëse që rastin ta trajtojnë me prioritet dhe në mënyrë profesionale që fajtori ta marrë dënimin e merituar.

“Ky sistem e kjo mendësi të ndryshojë, që fëmijët tonë të ndihen të sigurt dhe jo të vetmuar. Të mos ndodhin më vetëvrasje dhe kërcënime tjera që çojnë në vetëvrasje, dhe të mos ndodhë edhe një humbje jete”, thuhet në njoftim.

Betina Ymeri dyshohet se i dha fund jetës së saj, për shkak të kërcënimeve serioze nga i fejuari i saj, po ashtu 19-vjeçar, i cili është arrestuar nga policia.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për dyshimin e kryerjes së veprave penale “Shtytja në vetëvrasje” dhe “Ndihma në vetëvrasje”, ndërsa me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Prishtine Betina Ymeri mitrovicë Protestë

Kosova