Sport27 Janar 2023, 21:25

“Sot vlerësojmë kampionët”, fjala e Dukës në mbrëmjen gala: Janë shembull suksesi dhe motivimi për çdo të ri e të re

Shkruar nga Pamfleti
“Sot vlerësojmë kampionët”, fjala e Dukës

“Sot vlerësojmë kampionët”, fjala e Dukës në mbrëmjen gala: Janë shembull suksesi dhe motivimi për çdo të ri e të re

Gjatë mbrëmjes gala “Më të Mirët 2022” nuk mund të mungonte edhe një fjalë përshëndetëse e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi ka falënderuar të gjithë miqtë për praninë, ka renditur sukseset e mëdha që ka shënuar futbolli shqiptar në vitin që lamë pas.

Numri një i qeverisë së futbollit u shpreh se kjo mbrëmje gala është organizuar me qëllimin për të vlerësuar e stimuluar më të mirët në shumë drejtime, duke besuar se krijojmë modelet frymëzuese që duhet të ndjekin më të rinjtë.

“Loja jonë – padyshim më e bukura në glob -ashtu siç është garë e konkurrencë, është edhe edukim e bashkim. Jetojmë në një shoqëri ku debatohet shumë, ka përplasje të forta idesh dhe shpesh, tension e konfliktualitet. Por ama ka një vend ku të gjithë i lënë mënjanë ndasitë, e ku bëhen bashkë, burra e gra, të rinj e të reja, të vegjël e të moshuar, të majtë e të djathtë. E ky është futbolli. Sidomos Kombëtarja jonë kuqezi.

Pikërisht këto veti magjike e bëjnë lojën tonë më emocionuese, ngarkojnë me përgjegjësi më të madhe të gjithë aktorët”, – tha Presidenti Duka, duke renditur më tej disa arritje të rëndësishme siç ishin lançimi i strategjisë “Futbolli për Kombin”, organizimi në Tiranë i një aktiviteti të përmasave ndërkombëtare, finalja e UEFA Conference League në 25 maj, në stadiumin tonë “Air Albania”, inaugurimi i stadiumit “Kukës Arena” në Kukës apo edhe ndërtimi i shumë fushave të reja futbolli në Durrës, Kukës, Tiranë, Lushnjë, Shkodër, Orikum, Luz, etj.

Presidenti i FSHF-së përmendi edhe inaugurimin e Shtëpisë së Futbollit, një vepër madhore dhe e rëndësishme për infrastrukturën e futbollit në vend, por edhe iniciativa të tjera në kuadër të përgjegjësisë sociale apo edhe bashkëpunimit me institucionet arsimore.

“Sot jemi në një aktivitet që ka një moment falënderimi. Për ata që janë një shembull suksesi, e duhet të jenë po ashtu motivim për çdo të ri e të re, që do të arrijë majat. Janë djem dhe vajza që kanë arritur këtu me punë të madhe, sakrifica të përditshme, me mund e me djersë e duke pasur besimi tek vetja. Cilësi këto që na duhen të gjithëve për të arritur rezultate. Janë cilësi të kampionëve”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka.

Më poshtë, fjala e plotë e mbajtur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në mbrëmjen gala:

Përshëndetje të gjithëve,

Jemi në një natë ndryshe për futbollin, jemi mësuar t’i shohim djemtë dhe vajzat në fushën e blertë dhe jo në këtë skenë shumë të bukur të Teatrit të Operas dhe Baletit. Dua t’i falënderoj të gjitha nga zemra që jeni sot këtu veçanërisht të ftuarit të veçantë të kësaj mbrëmjeje: Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi.

Një falënderim për përfaqësuesit diplomatikë, Shkëlqesitë Ambasadorë e stafet e tyre. Një falënderim i veçantë për Presidentin e Federatës së Kosovës, mikun e çmuar Agim Ademi.

E po ashtu i uroj Mirëseardhjen mikut tonë, ish-futbollistit të Kombëtares së Francës e Realit te Madridit, Kristian Karembe dhe po ashtu edhe ish-futbollistit të Barcelonës, Arsenalit, Manchester City-t e sot drejtues i ekipit tonë kombëtar, Silvinio Mendes Campos Junior.

Jemi sot këtu, për të vlerësuar e stimuluar më të mirët në shumë drejtime, duke besuar se krijojmë modelet frymëzuese që duhet të ndjekin më të rinjtë. Loja jonë – padyshim më e bukura ne glob -ashtu siç është garë e konkurrencë, është edhe edukim e bashkim. Jetojmë në një shoqëri ku debatohet shumë, ka përplasje të forta idesh dhe shpesh, tension e konfliktualitet.

Por ama ka një vend ku të gjithë i lënë mënjanë ndasitë, e ku bëhen bashkë, burra e gra, të rinj e të reja, të vegjël e të moshuar, të majtë e të djathtë, artistë e këngëtarë. Dhe ky është futbolli. Sidomos KOMBETARJA jonë KUQEZI. Pikërisht këto veti magjike e bëjnë lojën tonë më emocionuese, ngarkojnë me përgjegjësi më të madhe të gjithë aktorët:

Lojtarë; Trajnerë; Arbitra; Drejtues klubesh; Por veçanërisht ne si FEDERATE. Me këtë ndjenjë përgjegjësie të madhe, ne të gjithë bashkë jemi përpjekur të sjellim rezultate e arritje ndër vite.

Mbyllëm një vit sfidues 2022, me ngjarje e evente, zhvillime e investime të rëndësishme. E nisëm me kuvendin tonë të debatuar e të sulmuar për të vazhduar me lançimin e strategjisë “Futbolli për Kombin”. Vazhduam me një aktivitet të përmasave ndërkombëtare siç ishte finalja e UEFA Conference League në 25 maj, në stadiumin tonë “Air Albania”, e cila dëshmoi se jo vetëm komuniteti i futbollit, por edhe gjithë Shqipëria mund të organizojë evente të rëndësishme. Inauguruam: Stadiumin “Kukës Arena” në Kukës dhe këtu gjej rastin të falënderoj Kryeministrin e vendit dhe qeverinë shqiptare, që u bënë partner me FSHF ashtu si dhe më parë në impiantet e Elbasanit, Shkodrës e Tiranës. Në të njëjtën kohë dua t’i uroj shërim të shpejtë Kryeministrit, i cili do të duhet të ishte sonte këtu por për arsye shëndetësore, nuk mundi dot.

Ndërtuam shumë fusha të reja vitin e kaluar në Durrës, Kukës, Tiranë, Lushnjë, Shkodër, Orikum, Luz, Vorë e gjithkund. Një tjetër risi e 2022 ishte investimi më i madh privat i historisë sportive shqiptare: kompleksi Partizani, me stadium modern, hotel e ambiente stërvitje e pushimi, mundësuar e financuar nga miku ynë dhe i futbollit, Gazmend Demi, i cili është për t’u vlerësuar për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në infrastrukturë.

Gjithahstu gjatë këtij viti duke pasur parasysh marrëdheniet apo mbështetjen e madhe që ka FSHF nga FIFA dhe UEFA kemi pasur vizitën e dy personaliteteve: Aleksander Ceferin në shkurt e Gianni Infantino në shtator, kur ne bëmë gati “Shtëpinë e Futbollit”, një derë e hapur për të gjithë, si për lojtarët profesionistë, ashtu edhe për më të rinjtë që duan të jenë pjesë e lojës sonë magjike, jo vetëm për të marrë dije e për t’u stërvitur, por edhe për t’u kuruar e rikuperuar. Do të jetë i hapur për të gjithë ju mbase për të parë edhe historinë e futbollit shqiptar ndër vite.

Në prag të Botërorit të Katarit, kreu i FIFA-s, Infantino do të falënderonte një vend tëvogël në Europë që ishte Shqipëria dhe Kryeministrin e saj Edi Rama të cilët i hapën dyert e tyre vajzave Afgane të futbollit, ku ne si FSHF iu bashkuam kësaj iniciative, krijuam infrastrukturën e nevojshme që ato të vazhdojnë të luajnë e të ushtrojnë ëndërrën dhe pasionin e tyre. U bëmë pjesë e ndihmës për Futbollin e Ukrainës me sa mundëm, një ndhmë modeste në një kohë mjaft të vështirë për miqtë tanë, e një kohë sfidash për krejt globin.

Investuam fuqimisht për të vijuar në partneritet me FIFA e UEFA, projektet tona madhore, pjesë e strategjisë “Futbolli për Kombin”, që e lançuam në fillim të vitit të kaluar. Projekti “Topi im”, “Uniforma ime”, “100 fushat”, janë plane madhore që hyjnë në çdo familje shqiptare.

Futbolli punon nuk flet: shumë pak e dinë se futbolli organizon 571 ndeshje në javë në Shqipëri në të gjitha kategoritë, vajza, djem, profesionistë e amatorë. Viti 2022, ishte një vit fitues për vajzat tona të futbollit. Për herë të parë në histori, vajzat e ekipit tonë Kombëtar që arritën rekord pikësh në eliminatoret e Botërorit. Të mos harrojmë se historia jonë e futbollit të vajzave është e shkurtër krahasamisht me atë që duhet për të arritur majat. Vllaznia e vajzave kualifikohet në grupet e UEFA Ëomen Champions League, mes 16 më të mirave, por edhe Ky fakt, na bën të ndihemi krenarë. I falënderoj shumë vajzat dhe presidentin Matia.

Shqipëria po rrit talente, dhe këtë e treguan të rinjtë nën 17 vjeç që nisën rrugëtimin drejt Elite Raund të Europianit, mes 32 ekipeve më të mira të kontinentit. Në mars do të luajnë ndeshje të rëndësishme. Le të shpresojmë të na bëjnë krenar ne, kombin dhe flamurin kuqezi. Këtë vit, 2023, falë punës sonë kemi arritur të fitojmë besimin e UEFA për të organizuar 10 turne ndërkombëtare kualifikues në vendin tonë. Kurrë ndonjëherë më parë nuk ka ndodhur, kjo falë punës së zyrtarëve, administratorëve, arbitrat dhe gjithkujt që punon me futbollin shqiptar.

Gjithashtu një premtim të madh e të rëndësishëm për futbollin këtë vit: do të ndërtohen tre stadiume të reja, në Durrës, Vlorë e Korçë dhe një i katërt në Tiranë, por jo me fonde shtetërore.

Pas zgjedhjes së trajnerit të ri të kombëtares, kemi një synim të qartë; të rikthehemi në podin e më të mëdhenjve me pritshmëritë tona për Euro 2024. Por sigurisht nuk e arrijmë dot pa mbështetjen e çdo shqiptari.

Sot jemi në këtë aktivitet jemi për të vlerësuar dhe falënderuar më të mirët.

Ata që janë një shembull suksesi, e duhet të jenë po ashtu motivim për çdo të ri e të re, që do të arrijë majat.

Janë djem dhe vajza që kanë arritur këtu me punë të madhe, sakrifica të përditshme, me mund e me djersë e duke pasur besimi tek vetja.

Cilësi këto që na duhen të gjithëve për të arritur rezultate.

Janë cilësi të KAMPIONEVE.

Urime fituesve! Urime më të mirëve

Falënderime e mirënjohje të gjithëve.

Sport Armand Duka presidenti i FSHF