Prokuroria e Posaçme ka bastisur zyrat e degës së Tiranës të Agjencisë së Kadastrës, duke shoqëruar pesë persona, mes të cilëve tre punonjës të kësaj agjencie.
Aksioni është ndërmarrë nga drejtoria e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit me urdhër të SPAK-ut.
Nga pesë persona të shoqëruar dy prej tyre janë sekretare në këtë institucion, ndërsa një tjetër është zyrtar.
Paraprakisht mësohet se veç personave të shoqëruar lista e SPAK ka edhe të tjerë emra, të cilët pritet që të shoqërohen në vijim për llogari të hetimi të nisur.
Hetimi drejtohet nga prokurorja Dorina Bejko, që u emërua në SPAK ditën e premte nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Akuzat që dyshohet se janë konsumuar janë ato të shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët, që përmes falsifikimit të dokumentacionit kanë favorizuar palë të caktuara në përfitimin e pronave të ndryshme në kryqytet.