Aktualitet 1 Tetor 2019, 19:46

SPAK është më afër, kandidatja e 11 del përpara Vettingut

Shkruar nga Pamfleti
SPAK është më afër, kandidatja e 11 del përpara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përcaktuar datën 4 tetor për seancën dëgjimore për prokuroren Anita Jella. Jella është prokurorja e 11-të nga 15-të kandidatë për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që i nënshtrohet procesit të vetting-ut.

Trupa që do të vlerësojë figurën e prokurores përbëhet nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari. Ndërkohë, 10 kandidatë të tjerë për në SPAK e kanë kaluar tashmë procesin e vetting-ut, ndërsa priten datat për katër kandidatë tjerë.

Prokurorët që do i nënshtrohen në vijim vetting-ut, por për të cilët nuk është caktuar ende data, janë: Anton Martini, Elizabeta Ymeraj, Doloreza Musabelliu dhe Ndini Tavani.

Kur u përzgjodh lista me 15 kandidatët për SPAK në muajin korrik, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, i pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nëse SPAK mund të ngrihet në muajin shtator ose tetor, tha: “Në këtë moment nuk është në dorën tonë caktimi i një kalendari, është në dorën e institucionve të vetting-ut. E mira është të përkojë me kalendarin e integrimit që kërkon që deri në mes të tetorit t’i kemi institucionet e ngritura.”

Ibrahimi nuk preferoi të jepte një ‘numër të arsyeshëm’ sa i përket prokurorëve që duhet të bëhen pjesë e SPAK që kjo strukturë të konsiderohet funksionale. “Kjo është çështje që nuk do doja të shprehem sepse i takon Këshillit të shprehet se cili është numri. Normalisht, një numër që e lejon përballimin e fluksit”, do të shprehej kreu i KLP-së. /Pamfleti

15 kandidatët për SPAK:

Altin Dumani
Anton Martini
Elisabeta Imeraj
Arben Kraja
Manjola Kajana
Enkelejda Millona
Doroleza Musabelliu
Klodian Braho
Ened Nakuçi
Edvin Kondili
Besnik Muçi
Ndini Tavani
Behar Dibra
Elida Kaçini
Anita Jella

Aktualitet