
Kryebashkiaku i Mallakastrës është dënuar me 40 orë punë publike. Qerim Ismailaj pas përfundimit të dëshmisë në SPAK ka dhënë një komunikim për mediat. Pas më shumë se dy orësh në SPAK Ismailaj tha se do të vazhdojë betejën ligjore.
“Duke qenë i bindur në pafajësinë time të plotë por edhe duke ndjekur të gjitha procedurat do vazhdoj betejën në të gjitha shkallët e drejtësisë. S’do jap dorëheqjen nga mandati.”- tha ai.
Dënimi atij i konvertohet në 40 orë punë në interes publik. “Kjo nuk e prek ushtrimin e detyrës”, tha Ismailaj.
“Gjykata, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi palët në konkluzionet përfundimtare dhe vlerësoi çështjen në tërësi, bazuar në nenet 112 pika 1 dhe 2, 379 pika 1, 384, 390 pika 1, 393 pika 2, 406/1, 415 pika 1 dhe 422 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale vendosi: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Qerim Ismailaj për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 6 (gjashtë) muaj burgim.”-thuhet në njoftimin e gjykatës.