Aktualitet31 Janar 2023, 17:52

SPAK merr në dorë dosjen “McGonigal”, Bardhi dorëzon dokumentet që fundosin Ramën

Shkruar nga Pamfleti

Prokuroria e Posaçme ka marrë në dorë dosjen për skandalin me ish-agjentin e FBI. McGonigal doli se ka marrë para nga një shtetas shqiptar, ndërkohë takimet e tij me kryeministrin Rama kanë qenë mjaft të dyshimta.

Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ju drejtua me një letër SPAK që të niste hetimet. Kryeprokurori i Posaçëm, Altin Dumani i ktheu përgjigje dhe kërkoi Bardhit t’i dërgonte dosjen. Bardhi nuk ka humbur kohë dhe mësohet se i është përgjigjur pozitivisht Prokurorisë së Posaçme.

Ai i ka vënë në dispozicion aktpadinë që prokurorët e SHBA kanë bërë ndaj ish-zyrtarit të FBI. “Gjejmë rastin tonë se Prokuroria e Posaçme do të kryejë një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të pavarur mbi këtë çështje”, shprehet Bardhi.

Detajet e dosjes

Në dosjen që Bardhi ka vënë në dispozicion të SPAK, tregohen takime të dyshimta mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

Më 9 shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal është takuar me personin B dhe kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesë të personit A, i pandehuri McGonigal i kërkoi Kryeministrit të Shqipërisë që të ishte i kujdesshëm për dhënien e licencave për shpimin e vendburimeve të naftës në Shqipëri për kompanitë ruse të frontit. Personi A dhe personi B kishin të dy interes financiar në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë për dhënien e licencave të shpimit të fushës së naftës. Po ashtu, thuhet se i pandehuri McGonigal i ka ofruar Kryeministrit të Shqipërisë pajisje të FBI-së në prani të personit B”, thuhet në dosje. Sipas të dhënave, personi A u identifikua si Agron Neza, ndërsa personi B ishte Dorian Duçka.

Sipas dosjes, më datë 7 shtator 2017, i pandehuri McGonigal ka udhëtuar me avion me personin A nga Shtetet e Bashkuara për në Shqipëri, ku gjatë disa ditëve në vijim janë takuar me personin B dhe shtetas të tjerë të huaj. As McGonigal dhe as FBI nuk kanë paguar për strehimin e McGonigal gjatë kohës që ishte në Shqipëri.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kryesore Bardhi McGonigal SPAK