Aktualitet26 Nëntor 2022, 16:53

“SPAK nuk guxon as t’i marrë në pyetje”, Kreshnik Spahiu: Rama, Berisha dhe Meta pakt për t’i shpëtuar burgut

Shkruar nga Pamfleti
“SPAK nuk guxon as t’i marrë në pyetje”, Kreshnik

Çfarë e ka penguar prokurorinë shqiptare 10 vjet, që të marrë Berishën dëshmitar për çështjen e Gërdecit, kur dyshohet që ka përfituar drejtpërdrejt nga fabrika e armëve?

Juristi Kreshnik Spahiu e sheh shumë të vështirë arrestimin e Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës. SPAK ka 3 vite që është krijuar, por asnjë prej drejtuesve të politikës nuk ka shkuar para drejtësisë.

Sipas Spahiut, që të tre kanë marrëveshje politike me njëri-tjetrin, për të qëndruar larg burgut.

Në një intervistë televizive, Spahiu u shpreh se drejtësia është nën kontroll nga politika dhe nuk guxon as t’i marrë në pyetje e jo më t’i dënojë.

Pse unë jam një profesionist që besoj që tre liderët politikë, Rama, Berisha dhe Meta do të jenë të paprekshëm? Unë mendoj që ata nuk do dënohen ndonjëherë nga drejtësia në Shqipëri, sepse drejtësia e sotme është tërësisht në një kontroll politik. Këta tre liderë politikë kanë një marrëveshje shumë të fortë me njëri-tjetrin për të mos u prekur. Ata e mbështesin njëri-tjetrin.

Si mund të merret i pandehur njëri nga këta të tre, kur thuhet që kemi vite që i hetojmë, por nuk kanë guxuar as t’i thërrasin në cilësinë e dëshmitarit? Kur ti si prokurori nuk guxon ta thërrasësh për ta pyetur në cilësinë e dëshmitarit, si do e marrësh me cilësinë e të pandehurit? Çfarë e ka penguar prokurorinë shqiptare 10 vjet, që të marrë Berishën dëshmitar për çështjen e Gërdecit, kur dyshohet që ka përfituar drejtpërdrejt nga fabrika e armëve?”, theksoi ai.

Spahiu komentoi dhe thirrjet e SHBA për të hetuar Sali Berishën. Sipas tij, prokuroria duhet që të dërgojë një letër-porosi në Uashington dhe të kërkojë informacione shtesë.

Prokuroria shqiptare e ka për detyrim, në bazë të procedurës penale, t’i drejtojë një letër porosi, organeve të hetimit dhe Departamentit të Shtetit dhe t’i thotë, ne jemi njohur me faktin që ju keni akuzuar dhe ndëshkuar, sepse nuk kemi të bëjmë me akuzë, kemi të bëjmë me ndëshkim në Uashington.

Uashingtoni dhe Londra kanë ndëshkuar Sali Berishën duke e shpallur non grata, mbi faktet të cilat ata pretendojnë që ka minuar demokracinë dhe ka shantazhuar drejtësinë shqiptare, me qëllim që të pasurojë klanin e tij. Ky është arsyetimi. Dhe prokuroria shqiptare, ashtu siç procedon edhe mbi një denoncim në mediat shqiptare, sikur një gazetë të japë fakte, prokuroria ka detyrimin që të fillojë të hetojë”, theksoi ai në “Euronews Albania”.

Qëndrimet e Spahiut vijnë një ditë pas deklaratave të kreut të SPAK, Arben Kraja. Ky i fundit dredhoi kur u pyet nëse Meta e Berisha do thirren për tu marrë në pyetje, pasi ka disa dosje kundër tyre. Kraja u mundua të justifikohet se hetimet janë në vazhdim dhe duhet të priten rezultatet finale.

Kryesore Berisha Meta Rama Spahiu SPAK