Të dielën, Spanja ka raportuar për 74 viktima nga koronavirusi i ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga sëmundja COVID-19 në 28.752. Autoritetet shëndetësore njoftuan se numri i përgjithshëm i të infektuarve, që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 235.772.
Numri i infektimeve të reja vijon të ulet me ritme të larta, teksa gjatë së dielës janë shënuar vetëm 482 persona të diagnostikuar me COVID-19.
Spanja është njëri nga vendet më të goditura në botë nga pandemia e koronavirusit. Mijëra persona kanë protestuar të shtunën, kundër menaxhimit të koronavirusit nga ana e qeverisë.
Partia e të djathtës ekstreme, Vox u ka bërë thirrje mbështetësve që të vozitin makinat nëpër qytetet më të mëdha spanjolle, në mënyrë që të grumbullohen, por duke mbajtur distancën fizike.
Spanja ka aplikuar disa prej masave më të ashpra në Evropë, me qëllim të luftimit të koronavirusit.