Politike27 Gusht 2018, 17:31

Spiropali lëshon gojën ndaj deputetit të PD, e krahason me Mau Ce Dunin: Idiot e i turpshëm!

Shkruar nga Pamfleti
Spiropali lëshon gojën ndaj deputetit të PD, e krahason me Mau Ce

Deputetja socialiste, Elisa Spiropali, ka sulmuar ashpër kolegun e djathtë, Enkelejd Alibeaj, e irrituar nga deklarata e këtij të fundit se do të ndërmerrte një nismë ligjore për të shënuar çdo film apo libër të botuar para vitit 1990.

Përmes një statusi në ‘Facebook’, Spiropali e quan demokratin me mendësi totalitare prej inkuizitori dhe e krahason me Mao Ce Dunin. Ajo thotë se kjo gjë që ka kërkuar Alibeaj është krejt njëlloj sikur popullit t’i vësh damkën e budallait, ndërsa e cilëson idenë e tij idiote dhe të turpshme.

STATUSI I SPIROPALIT

Demokrati me mendësi totalitare prej inkuizitori mesjetar, Enkelejd Alibeaj, po kërkon hiç më pak se të mësojë shqiptarët si të lexojnë librat, si të dëgjojnë muzikën, si të këqyrin pikturat e skulpturat.

Është akti më idiot, më i turpshëm, më grotesk, që një politikan shqiptar ka bërë gjatë krejt historisë sonë. Është krejt njëlloj sikur popullit t’i vësh damkën e budallait.

Demokrati me mendësi aventuroze që do të bëjë propagandën e sotme me librat e djeshëm, megjithatë e ka një farë vlere; Gjithkujt prej shqiptarëve të sotëm që dëshiron të dijë çfarë ishte komunizmi i pashpirt, diktatura çnjerëzore, propaganda, vigjilenca proletare, lufta e klasave, i mjafton të dëgjojë çfarë thotë për librat dhe artin ky demokrat me mendësi prej censori, e pjesëton me dhjetë, dhe ka mbaruar punë, për diktaturën di gjithçka.

Çfarë kërkon të bëjë me librat ky aparatçik, është më zi se çfarë kanë bërë me librat, inkuizicioni, Mao Ce Duni, diktatori shqiptar, dhe të tjerë, të cilët nuk kanë guxuar të mësojnë askënd si të lexojë, ata, përmes një ushtrie me censorë dhe redaktorë, librat e padëshiruar thjesht i digjnin ose i shndërronin në karton.

Të njëjtën gjë do të bëjë edhe ky Nëpunës i Pallatit të Ëndrrave të Bashës, por në një mënyrë pakrahasimisht më të shëmtuar, më burracake; me moralizime, komisione, komitete, ligje.

Të duash të dalësh nga bataku politik me shtojca moralizuese gjoja shpjeguese mbi libra, më keq se kaq shqiptarët nuk ka guxuar t’i ofendojë kurrë askush.

Politike Elisa Spiropali Enkelejd Alibeaj