Sport24 Maj 2022, 18:32

“Stadiumi i mrekullueshëm”, Murinjo në konferencë shtypi: E ndjej këtë si finalen time të parë, nëse fiton Roma, fiton edhe një shqiptar!

Shkruar nga Pamfleti
“Stadiumi i mrekullueshëm”, Murinjo në konferencë

“Stadiumi i mrekullueshëm”, Murinjo në konferencë shtypi: E ndjej këtë si finalen time të parë, nëse fiton Roma, fiton edhe një shqiptar!

Roma do të  tentojë të fitojë trofeun e parë pas shumë vitesh mungesë. Ekipi italian do synojë të bëjë diçka të tillë në “Air Albania”, ndaj Fejnordit, në finalen e Conference League. Trajneri i Romës, Zhoze Murinjo ka dalë përpara medieve shqiptare, ku ka folur për atmosferën, vendin tonë, pritshmëritë, sfidën, apo edhe për lojtarë të veçantë. 

“Ne kemi mbërritur në fundin e rrugëtimit të këtij sezoni. Kishim dy finale për katër ditë. E para na mundësoi kualifikimin në Europa League, përmirësuam edhe renditjen tonë. E fituam finalen e parë, që ishte përfundimi i sezonit dhe arritja e objektivit tonë, por nuk ishte një finale për të shkruar historinë. Tirana? Kjo është një finale historike. Do të luajmë një finale pas shumë vitesh, por duhet të bëjmë të pamundurën për të shkruar historinë, pra të fitojmë finalen nesër. E hoqëm presionin shtesë, u kualifikuam në Europa League nga kampionati. 

Unë dhe stafi teknik, prej ditës së premte nuk dolëm nga shtëpia, jemi mbyllur në Trigoria. Duhet të kemi edhe gëzim për të luajtur një ndeshje si kjo.Mkhitaryan u stërvit sot me skuadrën, në një seancë stërvitore shumë të vogël. Ishte e hapuar edhe për ju. I besoj shumë eksperiencës së tij, ai e njeh shumë mirë fizikun e tij. Në fund të stërvitjes më tha që ndihet mirë dhe është gati të luajnë finalen. 

Debati për stadiumin e vogël 

Ne kemi një lojtar shqiptar te Roma, Kumbullën dhe nëse fitojmë ne, atëherë edhe një shqiptar do të fitojë. Këndvështrimi i stadiumit është i gabuar dhe i parakohshëm. Kemi luajtur në Maqedoninë e Veriut, kur isha te Mançester Junajtid, ndërsa tani është Shqipëria që dëshiron të tregojë një pjesë të zhvillimit të saj. Stadiumi është vërtetë i mrekullueshëm dhe më vjen keq që nuk ka vend për më shumë njerëz. 

A mund të ndikojë përvoja juaj e madhe? 

Eksperienca ime nuk do të jetë faktor, pasi skuadrat që mbërrijnë në finale, janë aty që e meritojnë. Ne kemi luajtur të premten në mbrëmje dhe më pas jemi përqendruar për të analizuar gjithçka e për të nxjerrë sa më shumë material për lojtarët tanë. Për fat të mirë është një finale dhe ne duhet të jemi të gëzuar që kemi arritur deri aty, pavarësisht si do të shkojë. 

Është normale që jam serioz, pasi është një finale dhe deri nesër në mbrëmje, unë mendoj vetëm për këtë ndeshje. Unë jam kështu dhe kështu funksionoj. Natyrisht që përvoja ime ndihmon, por në fund të fundit janë lojtarët ata që zbresin në fushë. Unë e ndjej këtë finale, si finalen time të parë” – tha ai. 

Sport finalja e Conference League ndeshja me Fejnordin trajneri i Romës Zhoze Murinjo