
Në momentin që Perëndimi nuk i mbështet, ata i rikthehen rrugës se vjetër drejt Bashkimit Sovjetik. 8 vjet me parë për këtë tendence pro ruse e serbe të Ilir Metës fliste edhe Sali Berisha, sot krah për krah me të në luftën me Perëndimin euroatlantik.
Shkruan Nebil Çika
“Stalingradi i dytë” e pagëzoi “intifadën” tij të në luftën për pushtet, ish-presidenti Ilir Meta, duke ju kthyer kështu retorikës staliniste të politikës shqiptare gjatë diktaturës komuniste. Ishte ky një sinjal i qartë i orientimit të tij që nuk synonte vetëm qeverinë Rama apo PD, ndaj të cilave është orientuar hapur lufta e tij.
Ky është një sinjal i qartë për Putin dhe Rusinë, aleaten historike të ish-komunistëve shqiptarë nga të cilët vjen edhe vetë Meta, gjithashtu edhe një shantazh apo kërcënim për Perëndimin, i cili qartësisht nuk mbështet politikat dhe veprimet e tij.
“Stalingradi” ka qenë simbolika historike e komunistëve, jo vetëm shqiptarë, si simbol i fitores me të cilën ata justifikonin diktaturat dhe krimet në vendet e tyre, si dhe një demonstrim force kundër Perëndimit euroatlantik gjatë luftës së ftohtë. Një retorikë e rikthyer nga Putin, i cili ka objektiv të shpallur ringritjen e Bashkimit Sovjetik. Sot simbolika si “Stalingradi” dhe retorika komuniste e LDB, lufta me fashizmin dhe nazizmin janë thelbi i propagandës ruse për agresionin në Ukrainë dhe përballje me Perëndimin, SHBA, NATO, BE, Britani e Madhe, etj. Pra e gjithë “e drejta” për luftën në Ukrainë mbështetet pikërisht tel lavdia e rusëve në LDB. Me pak fjalë “Stalingradi” është sot simbol i përpjekjeve për hegjemoni të Putinit që synon ta shtrijë atë në kufijtë e Bashkimit Sovjetik. Adaptimi i këtij simboli e i kësaj retorike ruso-sovjetike të Putin nga Ilir Meta është pa dyshim një mesazh i qartë, një shkelje syri publike për Putinin dhe Rusinë dhe një “deklaratë lufte” për Perëndimin SHBA, Britani, BE, etj. Ky qëndrim i Metës ka kohë që shfaqet dhe lidhet me zhvendosjen e tij politike nga “socializmi ” tek sovranizmi enverist. Disa lëvizje në Evropë, të ngjashme me këtë që po përpiqen të ndërtojnë Meta e Berisha, janë deklaruar pro Putinit dhe ky lloj sovranizmi komunist po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një sponsorizim i Rusisë putiniste për të destabilizuar Perëndimin.
Nuk është ndonjë risi orientimi i të majtës ish komuniste shqiptare, përfshi edhe Metën drejt lindjes sallave dhe Rusisë. Ka një lidhje të forte ideologjike, por jo vetëm midis tyre dhe deklarimi pro perëndimor i tyre është fals e i lidhur me interes të pushtetit. Në momentin që Perëndimi nuk i mbështet, ata i rikthehen rrugës se vjetër drejt Bashkimit Sovjetik. 8 vjet me parë për këtë tendence pro ruse e serbe të Ilir Metës fliste edhe Sali Berisha, sot krah për krah me të në luftën me Perëndimin euroatlantik.
Atëherë Berisha tregoi për dashurinë e madhe të Metës me Serbinë dhe solli si provë momentin kur Meta, si ish-ministër i Jashtëm dhe zëvendës i tij në qeveri vizitoi Serbinë:
“S’mund ta imagjinoni gëzimin e jashtëzakonshëm të Ilir Metës kur do të shkonte në Beograd! Sikur po shkonte në qiell, në hënë; Këta kanë komplekse”, tha Berisha që iu referua aleancës si ish-opozitë që lidhën në Shkodër në prani të serbëve një vit më parë: “Përse e kanë këtë?! Edhe aleancën në Shkodër me Oliverin e bënë! Jovanoviçin e bënë! Aty ishin përfaqësuesit e lobeve më të egra serbe”!
Sigurisht që nuk është vetëm dashuria e orientimi ideologjik që e bën Metën të shohë Putin dhe Rusinë si salvaxhente më shumë se politike, por edhe vëllanë e tij i madh. I vënë në trysninë e marrëdhënieve të ftohta, për të mos thënë armiqësore, me Perëndimin dhe frika se mund të përfundojë si aleati i tij Berisha duke u shpallur non grata, Meta po luan kartën e fundit të mbijetesës së tij politike: “sovranizmin komunist” të modelit të Enver Hoxhës. Që mbijetoi në luftën lindje-perëndim duke masakruar e çuar popullin shqiptar, pothuaj në asgjësim. Por sot nuk është koha e Enver Hoxhës dhe Shqipëria nuk është me “as Lindje e as Perëndim”, por anëtare e NATO dhe kandidate për në BE, gjë që e bën te pa munduar “intifadën” kundër tyre të Metës dhe Berishës. Këtë e dinë dhe ata, por po mundohen të kërcënojnë me krijimin e një bërthame legale politike pro ruse ne Shqipëri, e cila nuk ka gjasa për pushtet, por ka gjasa të mëdha të kthehet në një vatër tensioni e destabilizimu në vend e rajon. Duke pasur parasysh praninë e konsiderueshme shqiptare në pothuaj në te gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nuk besoj se mund te funksionojë një politike e tille e lojës së vjetër të komunistëve shqiptarë midis Lindjes dhe Perëndimit, por gjithsesi tendenca nuk mund të tolerohet, SHBA, BE dhe NATO e kanë shpallur emergjencë dhe me rëndësi speciale strategjike stabilitetin e Ballkanit dhe rrezikun e influencës ruse në rajon. Për këtë arsye ata kanë shënjuar disa persona non garta dhe dihet qartësisht që arsyeja e kësaj mase të aplikuar, veçanërisht ndaj Berishës, i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Gjë që shprehet në motivimin e saj: kërcenim për sigurinë kombëtare të SHBA e Britanisë, që janë edhe dy vendet kryesore të NATO.
Kjo e bën shume serioze vëmendjen euroatlantike ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve politike këtu. Prandaj kjo shfaqe politike pro ruse e anti-perëndimore e Metës dhe Berishës më shume se kamikaze duket e dyshimtë. Dyshimi që ata nuk janë vetëm në këtë sfidë sy për sy e dhëmbë për dhëmbë me Perëndimin euroatlantik po bëhet gjithnjë e më e besueshme dhe ka provokuar në ekstrem partnerët e Shqipërisë, që sigurisht e kanë marrë qartësisht deklaratën e fundit të luftës nga Meta dhe Berisha me “Stalingradin”, imtifadën e tyre antiperndimore të sapo shpallur.